OKB, Asambleja e OKB-së miraton nismën serbe
Asambleja e Përgjithshme e Kombeve të Bashkuara ka votuar pro nismës serbe për dërgimin e çështjes së pavarësisë së Kosovës në Gjykatën Ndërkombëtare të Drejtësisë. Këtij institucioni do t’i kërkohet që të japë një mendim këshillues mbi legjitimitetin e pavarësisë së Kosovës nga Serbia, e shpallur më 17 shkurt. Gjatë punimeve të Asamblesë, 77 vende votuan pro, 6 kundër dhe 74 abstenuan. Serbia dhe Rusia deklaruan se Kosova shkeli ligjet kur shpalli pavarësinë, por rreth 50 vende, mes të cilave SHBA-të dhe shumica e vendeve të BE-së, kanë njohur tashmë pavarësinë e saj.
Ministri i jashtëm i Kosovës, Skënder Hyseni u shpreh pak ditë më parë se nuk është çudi që rezoluta serbe të votohet. Por siç shtoi ai, do të jetë Gjykata Ndërkombëtare ajo që do të japë fjalën e fundit për ligjshmërinë ose jo të pavarësisë së Kosovës.
Dje Mali i Zi tha se do të mbështeste përpjekjen e Serbisë që ta sfidonte pavarësinë e Kosovës në Gjykatën Ndërkombëtare të Drejtësisë. Shefi i diplomacisë Millan Roçen tha se ky vendim i është kumonikuar përfaqësuesit malazez në Kombet e Bashkuara.
9 Tetor 2008