E Shtunë, 31 Tetor 2026

Rezart Taçi ankim për arrestin

 

Armand Bajrami

Presidenti i kompanisë "Taçi Oil", Rezart Taçi i lënë në masën "arrest me burg" pak ditë më parë nga Gjykata e Tiranës, për rrahjen e gazetarit Mero Baze, kërkoi dje ndryshimin e vendimit të dhënë ndaj tij, me qëllim daljen nga qelia. Dy mbrojtësit ligjorë të biznesmenit, avokatët Maks Haxhia dhe Dritan Hajdari, depozituan dje në gjykatën e kryeqytetit një kërkesë për revokimin e vendimit "arrest me burg" pa afat ndaj klientit të tyre. Mësohet se kërkesa e mbrojtësve ka të bëjë me pretendimet për papajtueshmërinë me qëndrimin e mbajtur nga gjykata në seancën e caktimit të masës së sigurisë ndaj biznesmenit 38-vjeçar, Rezart Taçi. Shqyrtimi i kërkesës për revokim mase bëhet procedurialisht brenda një periudhe pesë ditore, ndryshe nga ankimimi i vendimit në apel, i cili do të kushtonte të paktën 15 ditë. Gjykata e Tiranës caktoi masën e sigurisë "arrest me burg" për Rezart Taçin më 7 nëntor. Ngjarja për të cilën ai përfundoi pas hekurave ndodhi mbrëmjen e 3 nëntorit në një nga lokalet e zonës së ish-Bllokut, kur ai së bashku me dy shoqëruesit e tij u përfshi në një episod të dhunshëm me gazetarin Mero Baze. Sipas kallëzimit të bërë nga ana e gazetarit Mero Baze, ai ishte dhunuar nga biznesmeni dhe dy shoqëruesit e tij. Pas konfliktit, policia ndaloi dy shoqëruesit e Taçit, për të cilët gjykata ka caktuar masë sigurie "arrest me burg", ndërsa Taçi u shpall në kërkim policor. Vetë biznesmeni, Taçi, u paraqit në polici pak orë pasi ndaj tij Gjykata e Tiranës caktoi "arrest me burg" në mungesë. Që ditën e parë, avokatët e Taçit, në deklarata mediatike e cilësuan vendimin e gjykatës si të paracaktuar dhe joligjor. Sipas tyre, klienti i tyre nuk mund të lihej në masën e sigurisë "arrest më burg", për shkak të mosparaqitjes së rrezikshmërisë shoqërore prej tij. Vetë biznesmeni e mohoi në mënyrë kategorike dhunën, madje ai tha se kishte hyrë për të ndarë dy punonjësit e kompanisë së tij "Taçi Oil", në momentin kur ka vënë re se po konfliktoheshin me gazetarin Mero Baze.
 
Biznesmeni mohoi dhunën ndaj Bazes
Biznesmeni Rezart Taçi nuk e ka pranuar akuzën e goditjes për shkak të detyrës ndaj gazetarit Mero Baze. Në deklaratat e tij publike para dorëzimit në polici, por edhe më pas gjatë procedurave të hetimit, 38-vjeçari ka thënë se ndodhej në lokalin ku ndodhi ngjarja, por ka hyrë për të shuar konfliktin mes dy punonjësve të sektorit të shitjes në "Taçi Oil" dhe gazetarit Mero Baze, por nuk ka ushtruar dhunë.

Më shumë nga Aktualitet

Të gjitha ›