Malaj: Buxheti i 2010-ës, buxhet shtrëngimi
Duke kundërshtuar me fjalë dhe me votë buxhetin faktik të vitit 2010 në Parlament, ish-ministri socialist i Financave, Arben Malaj, akuzoi për një analizë jo profesionale që po i bëhet buxhetit të shtetit. Sipas tij, viti 2010 ka qenë një vit ekonomik dhe financiar i shtrënguar me çoroditje të menaxhimit buxhetor. Ai vërejti se vetëm 15 ditë pas miratimit të buxhetit, pa u zbardhur mirë boja, u kërkua rishikimi. “Janë shkurtuar 60% e investimeve. Në 6-mujorin e parë të 2010-ës ka 16 mld lekë mosrealizim të ardhurash. 228% financimi i deficitit. 254% huamarrje e brendshme. Nuk kishit rrugë tjetër veç shkurtimit. Të ndërhysh tri herë në buxhet dhe të thuash që janë tejkaluar objektivat, s’ka kuptim. Eurobondi prandaj u bë i domosdoshëm edhe për të financuar një pjesë të buxhetit 2010”- u shpreh Malaj. Ai akuzoi qeverinë për spontanitet financiar. Duke iu referuar buxhetit 2011, Malaj kërkoi që qeveria të rrisë përgjegjshmërinë e menaxhimit dhe të mos jetë euforike. Sipas tij, ky buxhet ka sfida të vështira, pasi po financon deficitin. Ish-ministri socialist i Financave, ashtu siç u deklarua kundër buxhetit faktik të 2010-ës gjatë diskutimit të tij në Parlament, e dha edhe votën e tij kundër këtij buxheti.