Përcaktohen bankat ku do të tërheqin lekët 732 të përndjekur
Ndërsa qeveria miratoi vetëm dy ditë më parë listën me 732 emrat e ish-të përndjekurve që do të përfitojnë dëmshpërblim, tashmë Ministria e Financave ka përcaktuar bankat ku do të tërhiqen paratë. Sipas vendimit të qeverisë shuma e llogaritur do të transferohet në një llogari speciale në Bankën e Shqipërisë. Pagesa e dëmshpërblimit për secilin përfitues bëhet nga Ministria e Financave, në llogaritë personale të këtyre përfituesve, të hapura në bankat e nivelit të dytë. Lista me emrat e përfituesve ka kaluar në Ministrinë e Financave ku dhe janë bërë kalkulimet se sa para duhet të merrnin duke iu zbritur përfitimet e mëpërpashme. Sipas njoftimit zyrtar të qeverisë, në listë janë renditur të dënuarit me burgim, të dënuarit me dënim kapital dhe në fund të dënuarit me dëmshpërblim 0 lekë, për shkak të përfitimeve të mëparshme. Kjo është lista e radhës që është përzgjedhur për dëmshpërblim nga Ministria e Drejtësisë. Deri më tani kanë përfituar këstin e parë të dëmshpërblimit rreth katër mijë ish-të përndjekur, ndërsa lista totale e aplikuesve i kalon të 16 mijë.
Paratë
Ministria e Financave do të fillojë nga shpërndarja e kompensimit financiar për ish-të përndjekurit politikë. Sipas kësaj Ministrie, mësohet se ajo ka dërguar për në Bankën e Shqipërisë shkresën zyrtare për kalimin e parave për llogari të ish-të dënuarve të parë, që kanë plotësuar dokumentacionin e kërkuar. Ministria e Financave rikujton se në zbatim të Ligjit Nr. 9831, datë 12.11.2007, “Për dëmshpërblimin e ish-të dënuarve politikë të regjimit komunist”, si dhe VKM-së Nr. 1699, datë 29.12.2008, “Për miratimin e dëmshpërblimit financiar për ish-të dënuarit politikë të regjimit komunist për vitin 2008”, të gjithë personat e listuar në këtë vendim duhet të hapin llogari depozitë në një nga bankat e përzgjedhura sipas ligjit, Neni 33.
Bankat
Bankat e autorizuara nga Ministria e Financave për çeljen e këtyre llogarive janë: “Alpha Bank”, “Raiffeisen Bank”, “Banka Popullore”, “Banka Kombëtare Greke”, “BKT”-ja, “Tirana Bank”, “Union Bank”, “Banka Ndërkombëtare Tregtare”. Me hapjen e llogarisë, personat do të depozitojnë fizikisht në degët e thesarit të çdo dege vërtetimin/konfirmimin për: Emër, Atësi, Mbiemër dhe numrin e llogarisë në formë të shkruar. Me përcjelljen e këtij informacioni nga dega e thesarit në Ministrinë e Financave, kjo e fundit do të procedojë pagesat për në llogaritë e përfituesve. Shuma e këtyre përfituesve sipas ligjit do të paguhet me tetë këste, që do të thotë se secili nuk mund të marrë më shumë se 1/8, për të ruajtur kriterin e barazisë dhe të drejtësisë dhe njëkohësisht nuk mund të marrë më pak se 100 mijë lekë dhe më shumë se 1 milion. Çdo i dënuar i sistemit komunist shpërblehet me 2 mijë lekë për ditë burgu.
Përfituesit
Dëmshpërblimi financiar i depozituar në llogaritë bankare tërhiqet personalisht nga vetë ish-i dënuari politik apo nga kujdestari i tij ligjor, kur ai ka humbur zotësinë juridike për të vepruar, apo nga familjari i viktimës së ekzekutuar. Kur ish-i dënuari politik ka vdekur apo vdes para ditës së tërheqjes së kësteve të dëmshpërblimit, shumën e parave e përfitojnë, në pjesë të barabarta takuese, vetëm familjarët e tij, të përcaktuar në Nenin 8 këtij ligji. Kur asnjëri prej tyre nuk është gjallë, dëmshpërblimi shuhet dhe fondet i kthehen Buxhetit të Shtetit. Banka e nivelit të dytë lejon tërheqjen e të gjithë depozitës nga përfituesit e përcaktuar në paragrafin e dytë të këtij neni, vetëm pasi ata/ai depozitojnë /depoziton personalisht certifikatën e vdekjes së ish-të dënuarit politik, dëshminë e trashëgimisë së tij dhe dokumentin që vërteton se të paktën njëri prej tyre është gjallë. Banka e nivelit të dytë, në dokumentin përkatës, shënon të dhënat e personit/personave që tërheq/tërheqin dëmshpërblimin, për llogari të vet dhe të të gjithë përfituesve. Një kopje e këtij dokumenti dhe e dokumentit që provon tërheqjen e llogarisë bankare i bashkëlidhen dosjes individuale në Ministrinë e Financave. Asnjë veprim bankar nuk mund të kryhet në kundërshtim me paragrafët e mësipërm të këtij neni, edhe nëse ai mund të autorizohet me prokurë. Ministria e Financave mbikëqyr mënyrën e respektimit të këtij detyrimi ligjor dhe, kur vëren shkelje, e gjobit bankën e nivelit të dytë me gjobë të barabartë sa trefishi i çdo depozite, të shpërndarë në kundërshtim me përcaktimet e këtij neni.
Skema si do të përllogarit dëmshpërblimi
Ministria e Drejtësisë, Ministria e Financave, Enti Kombëtar i Banesave dhe Zyra Qendrore e Regjistrimit të Pasurive të Paluajtshme, në bashkëpunim, do të bëjnë përllogaritjet e masës së dëmshpërblimit financiar si më poshtë vijon:
Në rastin e përfitimit pasuror, në të holla dhe letra me vlerë. Çdo kërkues, brenda dhjetë ditëve nga marrja e njoftimit për shqyrtimin në themel të kërkesës së tij nga Ministria e Drejtësisë, plotëson formularin e vetëdeklarimit për përfitimet, në të holla ose letra me vlerë, të marra prej tij me ligjet e mëparshme. Formulari i vetëdeklarimit i dërgohet kërkuesit nga Ministria e Drejtësisë së bashku me njoftimin për shqyrtimin në themel të kërkesës. Ministri i Drejtësisë, pas mbërritjes së formularit të plotësuar nga ish-i dënuari politik ose i afërmi i tij, i dërgon Ministrisë së Financave një kopje të formularit të plotësuar dhe i kërkon të verifikojë përfitimet, në të holla dhe letra me vlerë, të ish-të dënuarit politik nga ligjet e mëparshme. Ministria e Financave, pasi verifikon përputhjen e formularit të vetëdeklarimit me të dhënat e Raiffeisen Bank, i dërgon Ministrisë së Drejtësisë përgjigjen zyrtare për masën e zbritshme të dëmshpërblimit brenda 30 ditëve nga depozitimi i kërkesës. Përgjigjja formulohet sipas tekstit në vijim: “Pas verifikimit dhe përllogaritjeve të kryera nga institucioni ynë, ju informojmë se masa e zbritshme është (shuma në lekë) përfitim i marrë nga ligje të mëparshme nga ish-i dënuari politik ose, pas verifikimit të kryer nga institucioni ynë, ju informojmë se masa e zbritshme është (shuma në lekë) përfitimi i marrë nga ligje të mëparshme nga ish-i dënuari politik. Kjo shumë është e barabartë me shumën e deklaruar nga vetë kërkuesi, sepse te ne nuk ka të dhëna”.
Shqyrtimi, dokumentet që po u verifikohen
Shqyrtimi i drejtpërdrejtë është faza e parë e hetimit, i cili kryhet në sektorin e Gjendjes Gjyqësore në Ministrinë e Drejtësisë (skedarët e përgjithshëm dhe ato të posaçëm, për të përndjekurit politikë të regjimit komunist) dhe, sipas rastit, në arkivin e Drejtorisë së Përgjithshme të Burgjeve. Çdo kërkesë i nënshtrohet këtij shqyrtimi, pavarësisht informacionit provues që i bashkëlidhet dosjes. Kopja e ekstrakteve të arkivit printohet, nënshkruhet nga punonjësi që përpunoi informacionin dhe i bashkëlidhet dosjes së kërkuesit. Informacioni, për çdo kërkesë, kërkohet në të gjitha variantet; emër, mbiemër, viti i lindjes, lloji i veprës penale etj., përfshi edhe indiciet për gabime të mundshme, ortografike dhe materiale, të dhëna nga vetë kërkuesi, për gjeneralitetet e tij. Pas verifikimit të drejtpërdrejtë të informacionit, punonjësi vepron si më poshtë. Kur provohet se kërkuesi ka kryer vetëm dënim penal politik, ai evidenton, në një formular të posaçëm, llojin dhe, sipas rastit, kohën e vuajtjes së dënimit, gjithsej, të cilin ia bashkëlidh dosjes. Dosja i përcillet për shqyrtim të bashkërenduar organeve të tjera shtetërore, për të parë nëse çështjet janë në përputhje me kriteret e përcaktuara në ligjin për dëmshpërblim. Kur provohet se kërkuesi, gjatë të njëjtit gjykim apo gjatë gjykimeve të tjera, është dënuar për një ose më shumë vepra penale, politike dhe jopolitike, ai evidenton llojin dhe, sipas rastit, kohën e saktë të vuajtjes së dënimit, gjithsej, politik dhe jopolitik, në një formular të veçantë, që i bashkëlidhet dosjes. Kur provohet se kërkuesi, sipas vendimit gjyqësor të formës së prerë, ka kryer veprime me pasoja për jetën e shtetasve të tjerë, i propozon ministrit ta klasifikojë kërkesën si të pabazuar në ligjin për dëmshpërblim. Në rastet kur provohet se kërkuesi ka kryer vetëm dënime jopolitike, i propozon ministrit ta klasifikojë atë si të pabazuar për të përfituar në këtë proces. Kur provohet se Ministria e Drejtësisë nuk ka të dhëna për kërkuesin, kërkesa i përcillet Ministrisë së Brendshme, Ministrisë së Mbrojtjes, Shërbimit Informativ të Shtetit dhe Drejtorisë së Përgjithshme të Arkivave të Shtetit për verifikim të drejtpërdrejtë në burimet e tyre arkivore të periudhës 30.11.1944 - 1.10.1991. Autoritetet përgjegjëse, brenda 30 ditëve, verifikojnë kërkesën dhe dërgojnë informacion në Ministrinë e Drejtësisë edhe për çështje të përmendura në shkronjën “d” të nenit 4 të këtij ligji. Brenda pesë ditëve, Ministria e Drejtësisë e kualifikon kërkesën në një nga rastet e mësipërme.
27 Gusht 2010