E Diel, 1 Nëntor 2026

Krerët e PPE-së: Politika shqiptare të mos vërë në pikëpyetje liberalizimin e vizave



Eljona Ballhysa
Presidenti i Partive Popullore Europiane, Uilfrid Martens, ministri i Jashtëm italian, Franko Fratini dhe europarlamentari Elmar Brok, kanë bërë një deklaratë të përbashkët dje për situatën politike në Shqipëri. Kjo deklaratë vjen pas takimit të fundit të zhvilluar midis ministrave të Punëve të Jashtme të PPE-ve, të zhvilluar në Asisi të Italisë. Në deklaratën e tyre, tre përfaqësuesit e lartë të Parlamentit Europian shprehin shqetësimin e tyre për situatën politike në Shqipëri. Ata konfirmojnë se pavarësisht qëndrimit të opozitës dhe akuzave të saj, qeveria e kryeministrit Berisha është legjitime. Tre krerët e lartë të së djathtës europiane bëjnë të ditur se me kthimin e opozitës në Kuvend, ky i fundit është në funksion të plotë. Ndër të tjera ata i bëjnë thirrje opozitës që të luajë rolin e saj në Parlament në mënyrë që procesi i liberalizimit të vizave të mos vihet në pikëpyetje nga situata aktuale politike.
Deklarata
“Ne shprehim shqetësimin tonë përsa i përket situatës aktuale politike, e cila e ka origjinën pas zgjedhjeve parlamentare të mbajtura qershorin e vitit 2009, kur zoti Rama dhe Partia Socialiste refuzuan të përmbushin rolin e tyre si një opozitë parlamentare, ndërsa zgjodhën që ankesat e tyre t’i zbrisnin në rrugë duke ndikuar në këtë mënyrë funksionimin normal të Parlamentit të Shqipërisë”, - bëhet e ditur në deklaratën e përbashkët të Presidentit të PPE-së, Martens, të ministrit të Jashtëm italian Fratini dhe të europarlamentarit Brok. “Ne kujtojnë se pavarësisht këtij qëndrimi të PS-së dhe akuzave të bëra nga opozita, qeveria e kryeministrit Sali Berisha është legjitime dhe se Parlamenti tani është në funksion të plotë. Ne bëjmë thirrje që Partia Socialiste të vazhdojë të qëndrojë në Parlament dhe të përmbushë rolin e saj si një opozitë parlamentare; që ajo formalisht pranon rezultatet e zgjedhjeve të konfirmuara nga ana e Komisionit Qendror të Zgjedhjeve, Kolegji Zgjedhor i Gjykatës së Apelit dhe të gjitha organizatat ndërkombëtare që vëzhguan zgjedhjet”, - shkruhet më tej në deklaratën e krerëve të së djathtës europiane. “Ne theksojmë se procesi i liberalizimit të vizave për Shqipërinë nuk duhet të vihet në pikëpyetje nga kjo situatë politike; ne besojmë se çdo përpjekje e tillë do të ishte në dëm të popullit shqiptar. Ne përshëndesim progresin e arritur nga qeveria shqiptare dhe besojmë se Këshilli dhe Parlamenti Europian do të miratojnë liberalizimin e vizave për Shqipërinë brenda vitit 2010. Ne i bëjmë thirrje opozitës që të respektojë Gjykatën Kushtetuese dhe të veprojë në bazë të dispozitave ligjore, duke kujtuar se ky është një nga kriteret e Kopenhagës që duhet përmbushur për t’u integruar në BE. Ne besojmë se BE-ja do të mbështesë dhe nxisë qeverinë shqiptare në rrugën e saj drejt forcimit të demokracisë dhe pranimin e saj në BE, aty ku e ka dhe vendin”, - shkruhet më tej në deklaratën e tre europarlamentarëve. “Vlen të përmendim se edhe pse qeveria shqiptare ka bërë lëshime në mënyrë që të plotësohen kërkesat e opozitës, posaçërisht duke ofruar që opozita të ketë shumicën dhe kryesimin e një komisioni hetimor parlamentar, z. Rama dhe opozita kanë bërë vazhdimisht kërkesa të reja, të cilat bien ndesh me Kushtetutën, ligjin zgjedhor dhe në vendimet e mëparshme gjyqësore; kjo na bën të supozojmë që zoti Rama nuk është i interesuar në një marrëveshje politike që mbështetet te sundimin i ligjit dhe i Kushtetutës”, - shkruhet në përfundim të kësaj deklarate. Grupi i Partive Popullore është grupi më i madh dhe më me influencë në Parlamentin Europian. Ky grup përmban 73 anëtarë partie nga 39 shtete, ku përfshihen presidenti i Komisionit Europian, presidenti i Këshillit dhe i Parlamentit Europian, 15 kryeministra të vendeve të BE-së dhe 5 kryetarë shtetesh apo kryeministra të vendeve joanëtare të BE-së.

Topi, sot në Prizren për takimin e presidentëve të vendeve fqinje të rajonit

Presidenti i Republikës, Bamir Topi, së bashku me Zonjën e Parë, Teuta Topi, sot niset drejt Prizrenit, ku në Prevallë, me ftesë të presidentit të Kosovës, Fatmir Sejdiu, do të zhvillojnë një takim kryetarët e shteteve të katër vendeve fqinje: Shqipërisë, Maqedonisë, Malit të Zi dhe Kosovës. Ky takim është në vazhdën e takimit të Vlorës të një viti më parë. Bashkëpunimi rajonal dhe perspektiva e zhvillimit të tij në kuadër të përmbushjes së aspiratës së këtyre vende për integrimin në strukturat euroatlantike dhe në familjen e madhe europiane do të jetë një ndër temat qendrore të bisedimeve mes katër presidentëve. Në përfundim të takimit mes presidentit Topi, presidentit maqedonas, Gjorgje Ivanov, presidentit të Malit të Zi, Filip Vujanoviç dhe presidentit të Kosovës, Fatmir Sejdiu do të zhvillohet një konferencë e përbashkët për shtyp.

Topi-Daul: Vetëm me vullnet politik mund të arrihet zgjidhja institucionale e krizës

Presidenti i Republikës, Bamir Topi, priti dje në një takim kryetarin e Grupit të Partive Popullore të Parlamentit Europian, Zhozef Daul, të cilin e falënderoi për rolin e tij të rëndësishëm dhe kontributin e çmuar në zgjidhjen e ngërçit politik në Shqipëri dhe si një nga përkrahësit më të palëkundur të perspektivës europiane të vendit tonë.
Duke shprehur bindjen se Shqipëria do të dijë të plotësojë kushtet dhe detyrimet e kërkuara për anëtarësimin sa më shpejt në Bashkimin Europian, presidenti Topi vuri në dukje se “me vullnetin politik të palëve, pas rivendosjes së dialogut politik institucional mes maxhorancës dhe opozitës, si dhe me angazhimin serioz të tyre, ekzistojnë të gjitha mundësitë që zgjidhja të vijë në mënyrë institucionale dhe në funksion të demokracisë dhe të interesave të qytetarëve shqiptarëve”, - është shprehur kreu i shtetit shqiptar. Nga ana e tij, kryetari i Grupit të Partive Popullore të Parlamentit Europian, Zhozef Daul, nënvizoi faktin se “palët dhe drejtuesit e lartë politikë shqiptarë duhet të shohin nga e ardhmja demokratike e të zbatojnë rregullat që imponon demokracia në respekt të Kushtetutës dhe shtetit të së drejtës”. Në të njëjtën kohë, zoti Daul garantoi se “procesi i liberalizimit të vizave për shqiptarët nuk do të ndalet për asnjë arsye, sepse shqiptarët duhet të lëvizin të lirë dhe se Shqipëria, pas përparimeve të mëdha e të dukshme që ka bërë, meriton plotësisht të jetë pjesë e familjes europiane”.

26 Qershor 2010

Më shumë nga Aktualitet

Të gjitha ›