Cherie Blair: Shqipëria përmirësime kundër trafikimit
"është një fakt i trishtuar që trafikimi i vajzave është tani një krim që prek pothuajse çdo vend në botë, kështu që sot jam shumë e inkurajuar, kur mësoj në lidhje me masat që Shqipëria po merr në përpjekje për të trajtuar atë që është një formë moderne e skllavërisë njerëzore. është e rëndësishme të mos dëshpërohemi, por të besojmë se veprimet mund të sjellin ndryshime". Këtë mesazh dha dje bashkëshortja e ish-kryeministrit anglez, Cherie Blair, mbështetëse e organizatës ndërkombëtare të anti-trafikimit "Stop Traffik". Ajo mori pjesë në një tryezë të rrumbullakët, të organizuar nga Ambasada Britanike, me përfaqësuese të OJQ-ve shqiptare, të cilët punojnë në fushën e trafikimit njerëzor dhe dhunës në familje. Siç theksohet në raportin e fundit të Departamentit të Shtetit të SHBA, megjithë përpjekjet e Qeverisë për të trajtuar këtë problem, Shqipëria mbetet një vend burim për trafikimin, dhe gratë vazhdojnë të jenë shumë të pambrojtura. Në disa zona rurale, rreziku është aq i lartë sa 90% e vajzave mbi 14 vjeç nuk shkojnë në shkollë, duke rrezikuar seriozisht arsimimin e tyre dhe perspektivën e ardhshme të punësimit. Cherie Blair vizitoi dje për herë të parë Shqipërinë. Zonja Blair vlerësoi rolin e medias në shoqëritë demokratike dhe në mënyrë të veçantë Shqipërinë në proceset e saj integruese. "Unë jam shumë e nderuar që jam këtu, pasi Shqipëria dhe Kosova ndodhen shumë pranë njëra-tjetrës dhe kur të largohem unë do të takohem me bashkëshortin tim në Kosovë", u shpreh Blair. Ajo erdhi në vendin tonë me ftesë të presidentit të Grupit "TAçI OIL", Rezart Taçi , dhe kreu një vizitë në ambjentet e TV ALSAT, me rastin e promovimit të formatit të ri të këtij televizioni. Drejtuesit e pagëzuan si "kumbara" e Tv Alsat. Më tej, Cherie Blair u prit në një takim nga presidentja e Fondacionit "Fëmijët Shqiptarë", Liri Berisha. Ajo i uroi zonjës Blair mirëseardhjen dhe e falënderoi për mbështetjen dhe përkrahjen që ajo dhe fondacioni i saj i ka dhënë shumë nismave të ndërmarra nga Fondacioni "Fëmijët Shqiptarë", në ndihmë të fëmijëve në nevojë dhe të përmirësimit në jetën e tyre ekonomike dhe sociale. Blair vizitoi qendrën "Fluturo për Jetën" dhe mjediset ku trajtohen fëmijët e spektrit autik, si dhe u njoh më nga afër me punën e stafit. Po kështu një tjetër takim bashkëshortja e ish kryeministrit anglez e kreu edhe me zonjën e parë të vendit, Teuta Topi, në ambientet e presidencës. Zonja e Parë e ka njohur zonjën Blair me situatën dhe vështirësitë që ndeshin gratë në zonat rurale në Shqipëri, si dhe me përpjekjet e tyre të përditshme mes angazhimeve të punës e familjes.