“Rezoluta konfirmon angazhimin e BE-së për Shqipërinë”

Zëvendëskryeministri dhe ministri i Jashtëm, Ilir Meta
Zëvendëskryeministri dhe ministri i Jashtëm, Ilir Meta ka përshëndetur dje miratimin e rezolutës nga Komiteti i Jashtëm në Parlamentin Europian për integrimin europian të Shqipërisë. Meta tha se rezoluta konfirmon angazhimin e BE për Shqipërinë.
Ai e cilësoi rezolutën si një hap pozitiv përpara drejt liberalizimit të vizave, duke theksuar se tre nën-çështjet e mbetura do të përmbushen shumë shpejt dhe duke nënvizuar njëkohësisht se qytetarët shqiptarë do të lëvizin në BE pa viza brenda vitit 2010. Në lidhje me Rezolutën për Kosovën, Meta e mirëpriti qëndrimin e eurodeputetëve për të unifikuar qëndrimin e vendeve të BE ndaj Kosovës dhe për të inkurajuar Komisionin që të fillojë dialogun me Prishtinën për sa i përket liberalizimit të vizave për qytetarët kosovarë.
Gjithashtu për sa i përket çështjeve të brendshme, z. Meta përsëriti qëndrimin e tij për dialog konstruktiv dhe konkret mes të gjithë faktorëve, si një domosdoshmëri për të ardhmen e të gjithë qytetarëve shqiptarë. Ai i bëri thirrje edhe një herë opozitës të kontribuojë për integrimin e vendit, duke vënë në dukje se Parlamenti Evropian përmes kësaj rezolute konfirmon qëndrimin për respektimin e Kushtetutës dhe transparencës, si shtylla të çdo zgjidhjeje të mundshme. Ministri garantoi se çështjet e mbetura për heqjen e vizave do përmbushen shpejt. Ai premtoi se shqiptarët do lëvizin pa viza në BE brenda vitit 2010.
Më herët Lëvizja Socialiste për Integrim i bëri dje thirrje dje kryetarit të socialistëve, Edi Rama, të mos mbetet jashtë rrjedhës dhe jashtë trendit evropian të zhvillimit të vendit. Sekretari i Përgjithshëm i LSI-së Luan Rama, duke përshëndetur rezolutën e Parlamentit Evropian për Shqipërinë, i kërkoi opozitës shqiptare të bëhet pjesë e reformave dhe angazhimit për integrimin e vendit. Duke iu referuar deklaratave të fundit të kryesocialistit se nuk do të marrë pjesë në zgjedhjet lokale, Rama tha se besoj se “socialistët shqiptarë, ata që janë pjesë e kontributit të standardeve në të cilat gjendet Shqipëria sot, të kuptojnë se pjesëmarrja, kontributi, energjitë pozitive, janë një sjellje evropiane. Ne duhet të ballafaqohemi me njëri-tjetrin dhe jo vetë përjashtimi, bojkoti, mospjesëmarrja, apo më keq akoma shfaqja, me rudimente të një politike arkaike, të një politike më të vjetër sesa politika e vjetër që nuk i shërben Shqipërisë”- u shpreh Rama.
Sipas tij, e gjitha kjo që po ndodh sot, domethënë mbërritja në momentin e heqjes së vizave për qytetarët shqiptarë, një stad më i avancuar dhe më i konsoliduar në rrugën drejt integrimit të Shqipërisë, është një fakt domethënës se Shqipëria evropiane dhe Shqiptarët evropianë meritojnë tjetër sjellje politike, meritojnë tjetër hapësirë për kontribute në të mirë të integrimi evropian të Shqipërisë.