E Diel, 1 Nëntor 2026

Rezoluta për KosovënSerbia ndahet në dysh

BEOGRAD- Partia Liberal Demokrate serbe ka kërkuar tërheqjen e rezolutës serbe për Kosovën nga Kombet e Bashkuara dhe insiston që në harmoni me subjektet parlamentare të shkruhet një rezolutë e re me qëllim zgjidhjen e problemeve të serbëve në Kosovë.

Lideri i Liberaldemokratëve, Jovanovic tha se Serbia duhet të ndryshojë qasjen politike ndaj Kosovës dhe për këtë është e domosdoshme që së pari të tërhiqet rezoluta që Beogradi ka dërguar në Asamblenë e Përgjithshme të Kombeve të Bashkuara për shqyrtim në sesionin vjeshtor.

Jovanovic tha se një rezolutë e re duhet të hartohet në marrëveshje me të gjitha partitë parlamentare dhe me propozim nga Bashkimi Europian.
Ai tha se deklaratat e ministrit Jeremic se gjetja e mbështetjes për rezolutën në Këshillin e Sigurimit të OKB-së do të jetë një mision i pamundur, është thjesht një alibi për politikat e varfra.

“Jeremic po përpiqet ta maskojë atë sot në të njëjtën mënyrë që Nikolic dhe Vucic kanë bërë , pa marrë përgjegjësinë për atë që kanë bërë në këto vite. Në politikë, një mision i pamundur do të thotë fund i një politike ” tha ai.

Partia Liberal Demokrate serbe insiston në një ndryshim të menjëherëshëm në politikat për Kosovën sepse pasojat katastrofike do të rrezikojnë situatën e vështirë aktuale të serbëve në Kosovë.
(e.n/news24/BalkanWeb)

Më shumë nga Aktualitet

Të gjitha ›