E Diel, 1 Nëntor 2026

Pranga 2 policëve, ndanin paratë me hajdutët e urbanit

Autori i Lajmit: Redaksia

Policia e Tiranës ka arrestuar dy agjentë të Policisë Kriminale, të komisariatit numër 2, pasi bashkëpunonin me hajdutët e xhepave, që grabisnin qytetarët në urbanet e kryeqytetit. Agjentët u krijonin lehtësira dhe imunitet nga ndjekja penale e arrestimi kundrejt ryshfetit.
Hetimi
Lajmin e konfirmon zëdhënësja e Drejtorisë së Policisë së Tiranës, Alma Katragjini, sipas të cilës janë vënë në pranga dje, nën akuzën e korrupsionit, policët Preng Frroku dhe Besnik Prendi agjentë të Policisë Kriminale në komisariatin numër 2 në Tiranë. Nga sa mësohet të dy policët, miq me njëri-tjetrin kishin gjetur mënyrën për të nxjerrë më shumë para. Ata ishin lidhur me disa hajdutë xhepash, të cilët grabisnin kryesisht qytetarët në linjat e autobusëve urbanë të Tiranës dhe marrëveshja mes punonjësve të policisë dhe hajdutëve ishte e qartë. Hajdutët mund të grabisnin pa u shqetësuar nga uniformat blu, madje Preng Frroku dhe Besnik Prendi bënin punën e tyre duke mos marrë parasysh as denoncimet e qytetarëve. Më pas, fryti i aktivitetit të hajdutëve dhe policëve ndahej në mes. Por, kanë qenë pikërisht xhepistët, të njohur tashmë nga uniformat blu që kanë kallëzuar se paratë ndanin me këta dy punonjës policie. Kjo punë vazhdonte prej 2 muajsh, derisa dy punonjësit e policisë kriminale, pas spiunimit janë vënë nën hetim nga Shërbimi i Kontrollit të Brendshëm. Pas këtij hetimi ka rezultuar se ka prova që i implikojnë të dy punonjësit e uniformave blu dhe vetëm dje pasdite ata janë arrestuar nga kolegët e tyre të Komisariatit nr.2 të Policisë, nën akuzën e shpërdorimit të detyrës dhe korrupsionit. Për hetimin me SHKB-në kanë bashkëpunuar edhe forcat e njësisë e Task-Forcë në Prokurori. Gjithashtu policëve iu sekuestruan edhe 30 mijë lekë të reja.
Hajdutët e xhepave
Kohët e fundit Policia e Tiranës raportoi një bum denoncimesh nga qytetarët, për grabitje me dhunë nga hajdutët e xhepave. Fenomeni në fakt është i hershëm, ndërsa fatorinot gjithnjë janë ankuar për të mitur që zhvillojnë aktivitetin e tyre kriminal, pikërisht në autobusët e linjave urbane në kryeqytet. Ky është rasti i parë i regjistruar nga uniformat blu, kur dy agjentë policie përfshihen në këtë aktivitet kriminal dhe ndanin paratë me xhepistët, duke i lejuar ata të vidhnin.

Ky lajm është publikuar: 07/04/2010

Më shumë nga Aktualitet

Të gjitha ›