Raporti i KLSH, Berisha: Basha ministër i suksesshëm
Kryeministri Berisha anashkalon komentet për KLSH-në, duke cituar se për rrugën u zhvillua procesi më transparent
TIRANNË- Kryeministri Sali Berisha ka injoruar tërësisht dje raportin e Kontrollit të Lartë të Shtetit, në të cilin janë konstatuar shkelje të shumta në procedurat e tenderimit dhe ndërtimit të rrugës Durrës-Kukës. Ndonëse dëmi i konstatuar nga ekspertët e KLSH-së dhe i pasqyruar në raportin përkatës, që tashmë i është dorëzuar Prokurorisë, arrin në shifrën e 100 milionë eurove, kreu i qeverisë ka mbajtur të njëjtin qëndrim ashtu si më parë lidhur me çështjen e rrugës Durrës-Kukës. Kryeministri, ndërsa është pyetur nga mediat lidhur me këtë çështje, ka deklaruar se rruga Durrës-Kukës-Morinë është procesi më transparent i zhvilluar ndonjëherë në këtë vend. Ndërkohë, përsa i përket pozicionit të ish-ministrit të Transporteve, Lulzim Basha, Berisha tha se ai mbetet një nga ministrat më të suksesshëm të vendit, për detyrën që kreu dhe vlerësoi momentin e heqjes së imunitetit ndaj tij. "Zoti Basha është një nga ministrat më të suksesshëm të këtij vendi, në atë detyrë. Në rast se ai i hoqi vetes imunitetin, për të vendosur një standard që nuk ka ekzistuar në këtë vend dhe për të zbatuar një angazhim elektoral të forcës politike që i përket, mendoj se ai po i shërben me dinjitet të madh këtij vendi dhe me përfaqësim realisht të çmuar. Ky është qëndrimi im në këtë çështje. Rruga Durrës-Kukës-Morinë është procesi më transparent që është zhvilluar ndonjëherë në këtë vend",- është shprehur dje kreu i qeverisë gjatë një konference për shtyp. Duke dhënë këtë deklaratë të shkurtër, në të cilin thuren lavde për ministrin Basha dhe ndërtimin e rrugës Durrës-Kukës, kryeministri Berisha ka anashkaluar tërësisht faktin se shkeljet dhe abuzimet në ndërtimin e rrugës nuk po thuhen nga opozita, por janë shkruar e zeza mbi të bardhë, në raportin e Kontrollit të Lartë të Shtetit. Në fakt, edhe ish-ministri i Transporteve, Lulzim Basha ka mbajtur të njëjtin qëndrim, ashtu si edhe shefi i tij. Pak ditë më parë, ndërsa është pyetur lidhur me raportin e Kontrollit të Lartë të Shtetit, ministri Lulzim Basha tha se nuk ishte njohur me këtë raport. Ndonëse pohoi se fjala e fundit do t'i takojë institucioneve të drejtësisë, ministri Basha vlerësoi, ashtu si dhe mjaft herë të tjera, ndërtimin e rrugës Durrës-Kukës, duke e quajtur investimin me transparent të zhvilluar ndonjëherë në vendin tonë.