E Shtunë, 31 Tetor 2026

Riçard Gir, jo më zhigolo



Që nga vitet ‘80 është i famshëm si seks simbol: nga suksesi si zhigolo amerikan deri te imazhi që përcolli në filmin “Pretty Woman”, Riçard Gir është pa diskutim një mashkull me cilësi të pafundme duke bërë të ëndërrojnë miliona femra. Megjithatë, teksa e sheh tani në det me djalin e tij Homer fillojnë të duken shenjat e kohës që ecën pa pushim. Në fotografitë e fundit aktori shfaqet me barkun dhe gjoksin e rënë. Një ngushëllim ky për të gjithë meshkujt që e ndiejnë veten të mposhtur nga mosha, pasi askush nuk shpëton dot nga mallkimi i pashmangshëm i quajtur “moshë”. Në këtë mënyrë, edhe Gir fillon t’i ndiejë vitet dhe fiziku i tij, që çmendi femrat anembanë rruzullit tokësor, fillon të bjerë. Sivjet, Riçard Gir do të mbushë 60 vjeç dhe mbase mendon t’i dhurojë vetes disa operacione plastike. Për ta filluar sa më mirë vitin, ai i lejoi vetes pushime në det me djalin. Në foto duket qartë pasioni për notin dhe kështu shpresojmë se kjo vëmendje për veten do ta kthejë disi në botën e zhigolove amerikanë.

Emi i këndon të dashurit të ri në Karaibe

Emi Uainhaus ka kënduar me mjaft pasion në një bar në Karaibe dhe performancën e saj ia ka kushtuar të dashurit të saj të ri Xhosh Bouman. Këngëtarja problematike, e cila po qëndron në ishujt Karaibe si pjesë e rehabilitimit të saj, ka gjetur një të dashur të ri duke lënë mënjanë martesën e saj me Bleik Felder Civil.
“Kur përfundoi këngën, ajo vrapoi te Xhosh, e përqafoi dhe e puthi. Zëri i saj ishte i mahnitshëm, ndërsa Xhosh ishte i habitur nga veprimet dhe surprizat e saj. Ata dukeshin shumë të dashuruar”, - tha një i pranishëm në lokal. Disa javë më parë, Emi deklaroi se kishte në plan që së shpejti të shpërngulej për të jetuar në Karaibe pasi ai ishte vendi ideal larg substancave narkotike dhe thashethemeve të mediave, të cilat e ndjekin këmba këmbës.

9 Janar 2009

Më shumë nga Aktualitet

Të gjitha ›