E Shtunë, 31 Tetor 2026

Rikthim për “Trojanët” në skenën e Teatrit Kombëtar



Petrika GROSI
Pas shfaqjeve me sukses në skenën e Teatrit Kombëtar në Tiranë gjatë pjesës së dytë të vitit të kaluar (shtator ‘08), tragjedia “Trojanët” e Euripidit rikthehet në krye të listës, për t’u rivënë në skenë nën regjinë e grekut Vangjelis Theodoropulos dhe aktrimin brilant të Margarita Xhepës, Ema Andreas, Luiza Xhuvanit, Guljem Radosë, Neritan Liçajt etj. Gjithashtu, kjo shfaqje ka çelur edhe edicionin e fundit të Festivalit të Teatrove në Butrint, duke fituar vëmendjen maksimale dhe duartrokitjet e publikut. Kështu, ndërsa provat do vijojnë deri në fund të shkurtit për premierën e parë të këtij viti, që është “Filumena Marturano”, publiku i teatrit do të ketë mundësinë të shohë sërish “Trojanët”, ku pa dashur të veçojmë meritat e të tjerëve, vlen të përmendet një Hekubë monumentale, e realizuar nga aktorja e mirënjohur e skenës dhe kinemasë sonë, Margarita Xhepa. Siç mësojmë nga TK-ja, shfaqja e tragjedisë “Trojanët” të Euripidit pritet që të bëhet gjatë fundjavës së ardhshme. Drama, që fillimisht u vu premierë në skenën helene dhe më pas në atë shqiptare, bën që në vëmendjen tonë të rikthehen vuajtjet e të gjitha atyre grave, të cilat kanë humbur burrat e tyre. Janë pikërisht gratë ato që mbajnë peshën kryesore të tragjedisë në këtë mes, duke dorëzuar trupat e bashkëshortëve, djemve dhe vëllezërve dhe duke pritur mes ankthit fatin e tyre, që vendoset nga fituesit e luftës. Pikërisht personazhi i Margarita Xhepës, Hekuba, është personifikimi i tragjedisë trojane. Ngjarjet pas rënies së Trojës, fati i familjes mbretërore të Priamit, situata e vështirë e gruas së tij, Hekubës, i vajzave, gruas dhe djalit të Hektorit, vdekja për atdheun dhe detyrimi qytetar për ta nderuar atë janë pjesë të moralit të vetë shfaqjes. Hekuba është një rol për të cilin vetë Margarita Xhepa shprehet se ka punuar shumë, duke dashur që të japë maksimumin e mundshëm në çdo vënie të tij në skenë. Veç të tjerash, kjo tragjedi tingëllon tepër aktuale në realitetin shqiptar, ku shumë gra sot e kësaj dite nuk e dinë se ku janë të varrosur bijtë, burrat apo vëllezërit e tyre të vrarë e të zhdukur në mënyra nga më makabret gjatë diktaturës komuniste. Por kjo është një nga këndvështrimet që mund të shikohet tragjedia, pasi në të nuk mungojnë elementet e tjera që kanë të bëjnë me idetë filozofike, luftën për pushtet dhe përballjen e njeriut me problemet e reja, që vazhdimisht mund ta vënë atë kundër shoqërisë.

9 Janar 2009

Më shumë nga Aktualitet

Të gjitha ›