E Diel, 1 Nëntor 2026

Ricertifikimi i mjekëve, në provim kush nuk merr pikët

SHKRUAN: Jonida Tashi 08-02-2011 11:23

Nisin aktivitetet e edukimit në vazhdim për vitin 2011, falë të cilave të gjithë bluzat e bardha do të sigurojnë kreditet e nevojshme për t’u ricertifikuar. Qendra Kombëtare e Edukimit në Vazhdim (QEKV) ka shpallur tashmë planin kombëtar të aktiviteteve të edukimit në vazhdim, duke u bërë me dije mjekëve, farmacistëve dhe stomatologëve se numri minimal i detyrueshëm i krediteve të edukimit në vazhdim për vitin 2011 është 10, ndërsa numri i rekomanduar i krediteve është 20. Specialistët e QEKV-së sqarojnë gjithashtu se duhet të mblidhen 150 kredite gjatë ciklit të parë të programit të ricertifikimit, i cili përfundon në dhjetor 2014, nga të cilat jo më shumë se 50% mund të përfitohen duke ndjekur aktivitete të të mësuarit në distancë, dhe jo më shumë se 20% nga aktivitete të vetëraportuara. Këto kredite mund të fitohen përmes pjesëmarrjes në konferenca, seminare, trajnime të zhvilluara brenda dhe jashtë vendit; aktivitete të të mësuarit në distancë; dhe aktivitete individuale si: shkrim artikujsh, librash, punë kërkimore; lexim literature shkencore, pjesëmarrje në aktivitete shkencore etj. Ndërkaq, specialistë të QEKV-së shpjegojnë se çfarë ndodh nëse profesionisti nuk i përmbush kriteret e programit. Sipas tyre, profesionistët që nuk arrijnë të mbledhin numrin e përgjithshëm prej 150 kreditesh për ciklin e parë të programit të ricertifikimit deri më 31 dhjetor 2014 ose numrin e përgjithshëm prej 250 kreditesh për ciklet pasuese, do t’i nënshtrohen një provimi njohurish dhe kompetencash. Profesionistët, të cilët dështojnë në provimin e parë ose, për arsye të ndryshme nuk i nënshtrohen atij, kanë mundësinë që brenda 6 muajve nga përfundimi i ciklit të programit të ricertifikimit t’i nënshtrohen një provimi të dytë, ku shpenzimet për kryerjen e testit do të mbulohen nga vetë profesionisti. Në rastet kur profesionisti dështon edhe në provimin e dytë ose nuk i nënshtrohet atij, atëherë profesionistit mund t’i pezullohet kontrata me institucionin ku është punësuar deri në momentin e kalimit me sukses të provimit. Institucionet përgjegjëse për hartimin dhe kryerjen e provimit janë urdhrat e profesionistëve, në bashkëpunim me departamentet përkatëse të Fakultetit të Mjekësisë. Në rast se institucionet punësojnë ose nuk ndërpresin kontratën me profesionistë, të cilët nuk plotësojnë kriteret e programit të ricertifikimit, siç parashikohet në ligjin “Për kujdesin shëndetësor në Republikën e Shqipërisë”, institucionet përgjegjëse do të vendosin sanksione ndaj tyre. Ricertifikimi i punonjësve të shëndetësisë do të kryhet çdo pesë vjet. Progresivisht deri në vitin 2014, profesionistët në fushën e shëndetësisë duhet të kenë të grumbulluara rreth 150 kredite. Në të kundërt, Fakulteti i Mjekësisë në bashkëpunim me urdhrat përkatës (të Mjekut apo Farmacistit) do të kërkojë testimin e kësaj kategorie që nuk plotëson numrin e krediteve. Për profesionistët, të cilët do të zgjedhin të plotësojnë vetëm numrin minimal të detyrueshëm të krediteve, për një ose më shumë vite kalendarike të ciklit, duhet që brenda viteve të tjera të ciklit të plotësojnë 150 kreditet e kërkuara. Në të njëjtën mënyrë, profesionistët të cilët e kalojnë numrin e rekomanduar të krediteve të një ose më shumë viteve kalendarike të ciklit, mund t’i transferojnë këto kredite në vitet pasardhëse të të njëjtit cikël.

Më shumë nga Ekonomia

Të gjitha ›