Punësimi, 140 mijë aplikues, gjysma me gjimnaz
Numri më i madh i personave që kërkojnë të punësohen nëpërmjet zyrave të punësimit i përket arsimit të mesëm. Mbi 50% e atyre që kërkojnë një vend pune kanë mbaruar gjimnazin, ndërkohë që grupmosha më e kërkuar nga punëdhënësit është ajo 20-35 vjeç. Aktualisht pranë zyrave të punësimit kanë paraqitur kërkesë për një vend pune mbi 140 mijë të papunë. “Janë të regjistruar pranë zyrave të punësimit 143 mijë punëkërkues të papunë. Grupmoshat e reja kanë më shumë shanse punësimi dhe gjejnë aktualisht më shumë, ndoshta dhe nga ajo që të gjitha subjektet pak a shumë këtë grupmoshë kërkojnë, deri në 35-40 maksimumi dhe grupmosha mbi 40 vjeç e ka të vështirë të gjejë një punë. Dominon arsimi i mesëm. Gjithmonë kërkesat për punësim janë kryesisht nga arsimi i mesëm, gjithmonë e më tepër”, - thotë Etleva Gjelaj, shefe e sektorit të statistikave në Shërbimin Kombëtar të Punësimit (ShKP). Raporti i punësimit mes femrave dhe meshkujve në vendin tonë ndryshon. Sipas autoriteteve të zyrave të punës, femrat e kanë më të lehtë për të gjetur një vend pune, ndërkohë që sektori ku janë më shumë të punësuar meshkujt është ai i ndërtimit. “Industritë përpunuese, sidomos kanë një kërkesë shumë të madhe për femrat dhe kjo është pjesa e industrisë që vjen dhe kërkon te ne fuqi punëtore më shumë dhe ne u japim mundësi femrave të punësohen në të gjitha degët e kësaj industrie përpunuese, si për konfeksionet, si për degët e industrisë ushqimore”, - shprehet Gjelaj. Për vitin 2010, nga 77 500 të papunë, janë punësuar nga zyrat e punësimit rreth 12 317 persona, ndërsa mbi 4 mijë kanë ndjekur kurse trajnimi dhe 200 të tjerë janë përfshirë në programet e nxitjes së punësimit, kategori në të cilën bëjnë pjesë studentët.