E Diel, 1 Nëntor 2026

Adoleshentja ikën nga shtëpia se donte të jetonte në Tiranë

Arratia Nëna akuzoi të afërmit për rrëmbim, por vajza u gjet shëndoshë e mirë në një lokal të kryeqytetit

Adoleshentja ikën nga shtëpia në Fier pas sherreve në familje, gjendet e vetmuar në një lokal të Tiranës. Policia e Fierit ishte vënë në alarm dje për zhdukjen e një vajze 15-vjeçare, e cila ishte rritur në Itali dhe ishte kthyer në Shqipëri pak kohë më parë. Zhdukja e radhës e ka zanafillën paraditen e së dielës, në lagjen “Mbrostar Ferko”, në perëndim të qytetit të Fierit. Vajza e zhdukur për më pak se 48 orë quhet Françeska M. dhe është 15 vjeçe. Ajo dhe nëna e saj, Luiza, kishin vetëm një muaj që ishin kthyer nga Italia, ku kanë jetuar familjarisht për shumë vite. Sipas nënës, paraditen e së dielës e bija kishte dalë për të hedhur mbeturinat në koshin pranë rrugicës së lagjes dhe prej këtij momenti është e zhdukur. “I dhashë qeset me mbeturina dhe i thashë që t’i hidhte në koshin pranë rrugicës së shtëpisë. Bëmë punët e shtëpisë së bashku dhe kur ajo doli për të hedhur plehrat, unë po fshihja oborrin”, tregon me lot në sy Luiza Merkaj. Nëna, tepër e shqetësuar tregoi se duke përshkuar pak metra rrugë deri në koshin e plehrave, e bija është përballur me kushëririn e parë, djalin e xhaxhait. “Ishte pak metra larg. I dallova që debatonin, por mendova se ishte më mirë të mos ndërhyja dhe ta gjenin vetë gjuhën e komunikimit, pasi janë kushërinj. Dëgjova një klithmë të vajzës dhe pashë të vraponte në rrugë, por prej këtij momenti nuk e pashë më”, tha dje nëna e së zhdukurës, e cila menjëherë ngriti dyshimin se në zhdukjen e vajzës kishin gisht njerëzit e burrit të saj. Shtëpia e 15-vjeçares ndodhet shumë pranë shtëpive të xhaxhallarëve, të cilët nuk shkojnë me babain dhe nënën e saj. Mendohet se kjo ka qenë arsyeja e vërtetë pse Françeska 15 vjeçe u largua nga shtëpia, por u detyrua të kthehej përsëri atje dje në mbrëmje, pasi u gjet nga Policia e Tiranës, në një lokal në rrugën “Don Bosko”. Burime policore treguan dje se vajza ishte gjetur në një lokal, ndërsa rrinte vetëm. Një oficer i policisë e ka marrë atë në pyetje në praninë e psikologut dhe ka mësuar se në largimin e saj nuk kishte ndihmuar askush. “Vajza ka treguar se donte të jetonte në Tiranë. Kishte ardhur që të gjente një punë këtu dhe të mos kthehej më në shtëpi. Nuk na i tha arsyet, por kuptohej që situata në familjen e saj nuk është shumë e mirë”, tha një oficer i Komisariatit Nr.3 të Tiranës, që ndoqi procedurat për rastin. Pas marrjes në pyetje, vajza është dërguar dje në mbrëmje vonë drejt Komisariatit të Policisë së Fierit dhe më pas u është dorëzuar prindërve.

#

Më shumë nga Aktualitet

Të gjitha ›