E Diel, 1 Nëntor 2026

Tirana bën paqe me Indinë për Nënë Terezën

Kreu i qeverisë takson parlamentarët indianë

Shqipëria dhe India do të bashkëpunojnë për një aktivitet të përbashkët për 100-vjetorin e Nënë Terezës. Në një takim të zhvilluar dje në Kryeministri, Berisha dhe anëtari i Dhomës së Lartë i Parlamentit Indian, Radhakant Nayak, ranë dakord që dy vendet të shohin mundësinë e organizimit të një evenimenti të përbashkët, si shprehje e vlerësimit të jashtëzakonshëm të misionit, kontributit dhe personalitetit të Nënë Terezës. Kryeministri Berisha pohoi vendosmërinë e qeverisë shqiptare për të çuar më tej bashkëpunimin në të gjitha fushat me interes të ndërsjellë për dy vendet dhe popujt. Në takim u diskutua mbi 100-vjetorin e lindjes së Nënë Terezës dhe faktin që kjo figurë e spikatur e humanistes dhe bamirëses së madhe, me origjinë shqiptare, është një faktor i rëndësishëm, i cili lidh ngushtë dhe kontribuon në forcimin e miqësisë mes të dy popujve. Anëtari i Dhomës së Lartë të Parlamentit indian, Nayak, rikonfirmoi vullnetin e vendit të tij për të forcuar marrëdhëniet shumë të mira e miqësore që ekzistojnë midis dy vendeve, si dhe për të zgjeruar bashkëpunimin në fusha me interes të ndërsjellë, si sektori i energjisë, minierave dhe turizmit. Duke vlerësuar reformat e rëndësishme të qeverisë shqiptare, në veçanti për krijimin e klimës më të favorshme për biznesin dhe investimet, anëtari i Dhomës së Lartë të Parlamentit indian shprehu vendosmërinë e vendit të tij, për të çuar në një shkallë më të lartë bashkëpunimin me Shqipërinë. Një sinjal i rëndësishëm në këtë drejtim, tha ai, do të ishte shkëmbimi i vizitave i niveleve të larta politike, duke filluar me vizitat midis delegacioneve parlamentare të dy vendeve e më tej.

#

Më shumë nga Politika

Të gjitha ›