ISKSH, grupe kontrolli dhe mjekë në zonat e bllokuara nga bora
Tiranë- Për të pasur nën kontroll situatën shëndetësore për shkak të vështirësive të krijuara nga moti i keq që ka përfshirë zonat e thella të vendit, Instituti i Sigurimeve të Kujdesit Shëndetësor ka nisur grupe kontrolli në disa zona të thella.
Sipas të dhënave që vijnë nga grupet e shpërndara në terren, rezulton se gjendja e qendrave shëndetësore për furnizimin me medikamente nuk paraqet probleme. Ndërkohë që Instituti njofton se ka marrë masa për mbulimin e zonave të thella me mjekë. Për këtë, duke qenë se ka pasur vështirësi në disa zona të pambuluara me mjekë, problemi është zgjidhur me vënien në dispozicion të mjekëve të komunës më të afërt.
Grupet e kontrollit janë nisur në komunat e Shkodrës, Dibrës, Tropojës për të parë nga afër nevojat e qendrave shëndetësore në këtë situatë emergjente, për përballimin e së cilës është ngritur tashmë një shtab emergjence nga qeveria.
Dje situata në shumë zona të thella ka qenë problematike. Edhe pasi pushuan reshjet e borës, banorët u përballën me izolimin, ndërkohë që automjetet e kanë pasur shumë të vështirë qarkullimin për shkak të rrugëve të zëna nga bora e të rrëshqitshme nga akulli.