GKA: Ja lodhja jonë
Galeria Kombëtare e Arteve i ka raportuar në ditët e fundit të dhjetorit Ministrisë së Turizmit, Kulturës, Rinisë dhe Sporteve se si i shkuan punët në vitin 2008. Bilanci ështëfokusuar në dy linja: në ekspozitat dhe projektet afatshkurtra dhe afatmesme të nisura që në vitin 2007 dhe që ka shumë të ngjarë të shpallen si sfida të GKA më 2009 për t’u kurorëzuar në vitin 2010.
Raporti për një punë normative si ekspozitat personale dhe kolektive (aktivitet shpëtuese të këtij institucioni pa kalendar), paraqet rreth 36 të tilla që GKA ka realizuar vitin që shkoi. Artistët dhe organizatorët janë thuajse të gjithë shqiptarë. Natyrisht që jo kushdo ka pasur mundësinë të realizojë një ekspozitë në këtë galeri ku gjithsesi mjafton që artisti, piktori, skulptori, videoasti, fotografi të ketë një nivel qoftë edhe mesatar.
Është refren i vjetër i Galerisë Kombëtare që nuk ndjek rregulla dhe kritere përzgjedhëse për autorë bashkëkohës apo edhe të traditës me të cilët mban hapur dyert gjithë vitin.
Jo më larg se dhjetorin e vitit të kaluar, në mbledhjen e tij të fundit, Këshilli Shkencor i GKA ka diskutuar, më saktë i ka kërkuar drejtorit aktual Rubens Shima që të vendosen disa kritere bazë të cilat duhen respektuar nga të dy palët: nga organizatorët dhe ata që duan të ekspozojnë.
Në listën e ekspozitave që janë realizuar gjatë 2008-ës nuk të has syri emrin e asnjë artisti të huaj, gjë që të lë të kuptosh se GKA vazhdon të mbetet një ishull lokal, kombëtar që mezi arrihet nga ndonjë aktivitet ndërkombëtar si “Onufri” dhe“Marubi” që sot nuk ekziston më. Ato mure nuk kapen nga korrente të rrymave të afërta të artit nga përtej kufijve shqiptarë.
Më e shkurtër është lista e punëve të papërfunduara të Galerisë Kombëtare të Arteve. Në raportin depozituar në Ministrinë e Turizmit, Kulturës, Rinisë dhe Sporteve, thuhet se stafi i GKA ka nisur që në vitin 2007 procesin e fotografimit dhe të dixhitalizimit të të gjitha veprave që janë pjesë e Koleksionit të GKA-së. Është dashur më shumë se një vit vetëm për procesin e dixhitalizimit të pikturave. Institucion i vetëm që ka në dorë gjithë pasurinë figurative, në pikturë dhe skulpturë, është shumë i vonuar në “realizimin” e planit” po të mendojmë që Qendra Kombëtare për Inventarizimin e Trashëgimisë Kombëtare (ku do të derdhet ajo djersë e punës së galerisë) ka dhjetë vjet që është themeluar. Duhej të ishte i pari institucion që ta kishte mbyllur këtë proces, por ja që është i fundit.
Element shumë i rëndësishëm jo vetëm për GKA-në, por për të gjithë admiruesit e artit është edhe katalogu, guida e munguar e artit figurativ shqiptar puna për të cilin ka nisur në vitin 2007. Një botim shkencor, i pari i këtij lloji ku do të kombinohen materiali studimor me materialin fotografik për t’i dhënë një ide më konkrete itinerarit të muzeut dhe për t’u njohur me pasuritë e Koleksionit (Fondit të GKA).
Por autorët e kësaj vepre gjysmë shkencore, gjysmë turistike, nuk janë asnjëherë të ditur. Artit pamor shqiptar i mungojnë studimet e specifike, botimet dhe katalogëtdhe një iniciativë si ajo që ka marrë GKA, një lloj historie e artit shqiptar do duhej të deklarohej për autorët që do ta shkruajnë këtë histori.
Një tjetër punë e mbetur pezull është edhe rikonceptimi i pavijoneve në rende kronologjike dhe tematike të historisë së artit. Ndonëse ideja për këtë rikonstruktim është marrë dhe rimarrë vit më vit, tani punimet duken në fazën përmbyllëse.
Edhe ky projekt kaloi si një detyrë e thjeshtë zyrtare për pamjen e asaj që herë quhet galeri, herë muze.
Nuk është diskutuar më hapur nëse rikonceptimi i pavijoneve synon të japë jo thjesht një zhvendosje të mureve mbi një ngrehinë me shumë probleme, me një rrjet elektrik që nuk i lejon as rojes të ndezë një furnelë, se nuk mban.
Një tjetër synim që Galeria i kishte vënë vetes për vitin që shkoi ishte pasurimi i Koleksionit me vepra të reja të autorëve shqiptarë me përligjjen e “përfaqësuesve të vlerave më të mira të artit pamor shqiptar”. Për këtë u pa e arsyeshme që falë fondit 1 milion lekë, t’i jepen si pasuri e koleksionit vepra të artistëve Perikli Çuli, Ali Oseku dhe Arben Bajo. Në analizën vjetore të GKA-së shkruhet se për blerjen e këtyre veprave janë kryer të gjitha procedurat ligjore dhe administrative, por nuk thuhet se mbi çfarë kriteresh u përzgjodhën punët e këtyre tre artistëve, që po hyjnë përgjithmonë në fondin e Muzeut-Galeri si vlera të padiskutueshme të artit shqiptar.