E Shtunë, 31 Tetor 2026

Skuadër për dashnorin e Napolit

Regjisori Albert Minga ka ftuar thuajse të njëjtët aktorë bazë të “Pamjes nga ura” për dramën e Eduardo De Filippos. “Filumena Marturano”, premierë absolute e Teatrit Kombëtar me Yllka Mujon, Bujar Asqeriu, Olta Gixhari. Kur Mustafa Greblleshi e përktheu në shqipe, De Filippo prezantohej më 1965 si autor që demaskonte zakonet borgjeze

Moda që kanë zgjedhur njëzëri institucionet e kulturës për dhënien e lajmit është konferenca e shtypit. Është një formë për të treguar që kur institucioni bën konferencë shtypi, është në gjendje pune.

Drejtuesi i Teatrit Kombëtar del sot në konferencë për motive nga të cilat me siguri dimë një. Paraqitjen e trupës që po punon për premirën e parë të vitit 2009. “Filumena Marturano” e dramaturgut italian Eduardo De Filippo është në proces pune nën drejtimin e regjisorit Albert Minga i cili tregon sot përse ka zgjedhur të njëjtin “ekip fitues” të “Pamjes nga ura” (A. Miller) me të cilën, për hir të së vërtetës, e shkundi nga gjumi biletarinë e TK për një sezon 2007-2008.

Minga ka ftuar tre aktorë kryesorë që pati tek drama amerikane e viteve pesëdhjetë. Nuk zbulojmë ndonjëtë papritur që është lënë për sot, po të themi se ata janë Yllka Mujo, Bujar Asqeriu dhe Olta Gixhari. Dy të parët mbajnë rolet e Filumena Marturanos dhe të Domenik Sorianos. Vepra është përkthyer në shqipe nga origjinali “Cantata dei giorni dispari” nga një mjeshtër i brishtë i gjuhës dhe satirës, Mustafa Greblleshi i cili në vëllimin drama “Filumena Marturano” i botuar më 1965 ku përfshihen “Frika numër një”, “Dhuntia ime dhe zemra ime”, bënte një prezantim pothuajse të plotë për kohën, me De Filippon.

Është dramë psikologjike me tre akte e cila dikur çmohej në mjedisin tonë për zbulimin e thellë të karaktereve të personazhe që e “bën dashurinë e gruas së thjeshtë për një djalosh të shoqërisë borgjeze, një dramë që demaskon falsitetin dhe esencën e ligjeve çnjerëzore të shoqërisë borgjeze”. Kurse Filumena vetë ishte vajza e popullit, e pajisur me tipare të pastra virtyti e morali që i del ballë për ballë lakmisë shtazarake të klasës undonjëse; që dënon pa mëshirë ligjet e egra të shoqërisë borgjeze që duan të veçojnë nënën nga fëmijët dhe që këta të mos pësojnë fatin e saj të keq,të mos bien në llumin e basifondeve ku e pat gremisur padrejtësia e asaj shoqërie vetë Filumena Marturanon.

I ashtuquajturi “dashnor i Napolit” (u lind në këtë qytet më 1900), shkroi jo pak vepra në atë dialekt të fortë të cilin e hasim dendur në dy dekada të kinemasë italiane të pasluftës. Në skenën e Teatrit Kombëtar në Tiranë vetëm për t’u bërë qesharak mund të vinte pa kostumin e standardit sadoqë “Filumena” së bashku me “Frika numër një” klasifikohen nga studiuesit italianë komedi dialektale por që janë drama tronditëse të cilat “pasqyrojnë krizën morale të shoqërisë sonë”.

Jemi në Napolin e viteve gjashtëdhjetë. Se si do ta sjellë Minga në kohë vepra që regjisorët tanë kanë zakonë t’i quajnë aktuale për kohën që jetojmë, mbetet për t’u parë. Të perceptuarit të aktualitetit apo prurja në të sotmen e teksteve të shkruara dje, të quajturat koncepte regjisoriale, kanë qenë dështime të njëpasnjëshme në teatrin tonë. Edhe veprës më universale (si e tillë shitet e gjithë dramartugjia e huaj në skenën teatrore në Shqipëri) i bëhet një zbërthim mekaniktekstit, një soditje pasive, një respekt nga përjashta, në mënyrë realiste, filmike. Ky lloj regjisori që do duhej të kryente detyrën si autor që e bën teatrin dhe veprën teatrale të jetë sot, e tashme, ka nevojë për aktorët që do t’i mbanin atë barrë pune që vetë s’e kryen dot.

Urojmë që “Filumena Marturano” e Albert Mingës - premiera parashikohet në muajin shkurt - të shkundë prapë biletarinë jo me emrin e “skuadrës fituese”, as me teatër kostumesh të gjashtëdhjetës që do mallëngjente dy breza spektatorësh, po thjesht me energjitë dhe mjetet që ofron teatri.

---------------------------Prezantimi më 1965Eduardo De Filipo, aktor, autor dhe regjisor i kohës sonë, është një nga artistët më realistë e më të talentuar të Italisë. Emri i tij ka kapërcyer prej kohësh kufijtë e vendlindjes. Me forcën e artit ai fitoi zemrat jo vetëm të bashkatdhetarëve, por edhe të spektatorëve e të lexonjësve të Evropës e të kontinenteve të tjera, sidomos me shfaqjet e trupës së teatrit të tij, që njihet në botë me emrin “Teatri i Eduardos”. Eduardo de Filipo, lindi në Napoli më 24 maj 1900. Si thotë edhe vetë, në moshë të njomë u dashurua me bukuritë mahnitëse të Napolit, me kaltërsinë e qiellit e të detit e përmbi të gjitha me këngët e ëmbla që s’gjejnë të pushuar në të katër anët e Napolit. Ai e dashuroi “qytetin e këngëve”, Napolin e bukur, me dashurinë e madhe të dlirët të një artisti, i qëndroi përherë besnik kësaj dashurie. Këtë dashuri e paraqiti në vargun e gjatë të komedive dhe të dramave, motivet e të cilave janë marrë vetëm nga Napoli, qytet i diellit dhe i varfërisë. Edhe protagonistët janë napolitanët e thjeshtë e simpatikë, ata që “vajtojnë duke kënduar”: viktimat e basifondeve, peshkatarët e varfër, shitësit endacakë të limonëve e të portokajve që protestojnë kundër padrejtësive shoqërore. Ishte ende fëmijë kur u bë aktor profesionist teatri duke interpretuar role të vegjëlish. U rrit në skenë dhe u kalit në shkollën e teatrit realist të Di Xhiakomos dhe të Pirandelos. Njohu skenën më parë se të njihte jetën...

Në krijimtarinë kinematografike të De Filipos si edhe në atë të artistëve të tjerë të shquar si Roberto Roselini, Karlo Lizani, Renato Kastelani, Pietro Xhermi, Xhiuzepe de Santis, Viktorio de Sika, vihet re pikësynimi për t’u frymëzuar nga aktualiteti, për të zbuluar konfliktet e ashpra shoqërore, me një fjalë jeta e vërtetë shoqërore...

Marrë nga parafjala e botimit shqip të Eduardo de Filipos, më 1965

Më shumë nga Aktualitet

Të gjitha ›