E Shtunë, 31 Tetor 2026

Shqiptarët që njoh unë

Para se të flasim për 2008-n, le të merremi me 2009-n!

Uroj nga zemra të gjithë lexuesit e “Shekulli”-t, që të kenë një vit të mbarë e të begatë në këtë 2009, që po troket. Uroj të jetë një vit pa ditë të hidhura. Së paku, të kenë një vit më të mirë se ky që kaloi e që ne jemi ftuar t’i vëmë notën në këtë forum, ku na kërkohet të përgjigjemi:

2008-a ka qenë një vit më i mirë apo më i keq për shqiptarët?

Jam i bindur që përgjigja e secilit nga ne nuk do të jetë kurrë e plotë. Me qenë se drejtuesit e forumit na pyesin ne dhe nuk e duan përgjigjen nga statistikori i vendit, atëherë përgjigjen, pashmangshmërisht, do ta japim për ata shqiptarë dhe për ato rrethe shqiptarësh që njeh veç e veç secili prej nesh.

Unë, shqiptarët e mi i kam që të gjithë mjaft të kënaqur nga 2008-a. Asnjë nga të njohurit e mi nuk bën pjesë në listën e atyre 350 fatkeqëve që vranë veten gjatë vitit. Asnjëri prej të njohurve të mi nuk ka qenë mes të mbyturve në ato përmbysjet e skafeve të stërmbushur që hedhin njerëzit në emigracion klandestin.

Do t’i kisha kursyer të gjitha këto shpjegime, po të thosha që në nisje, se shqiptarët që njoh unë janë që të gjithë milionerë, të shëndetshëm e faqekuqë. Kur qëllon që sëmuren, shqiptarët që njoh unë shkojnë nëpër doktorët më të mirë europianë. Barnat nuk i marrin kurrë nëpër farmacitë e vendit. Të njohurit e mi nuk kanë probleme vizash, pasi kanë lidhje të fuqishme. Janë të tërë të pajisur me pasaporta diplomatike dhe dalja matanë kufijve, si për hall, e si për qejf është një hiç problem! Shtëpitë e tyre më ka qëlluar shpesh t’i shoh si ishuj drite në mes të errësirës që krijon, fjala vjen, lagjja për qark. Në shtëpitë e tyre ka gjeneratorë nga fjala e fundit e teknikës.

Shqiptarët që njoh unë kanë kohë, e megjithatë nxitojnë. Trafiku nuk i bezdis se, për ta, dritat e kuqe zëre se nuk janë vendosur ende. Të njohurit e mi rrinë orë të tëra nëpër kafene luksoze dhe mua më duket se ata nuk bëjnë asnjë punë. Dhe, bile, as qahen për mungesën e punës. Është, si të thuash, një papunësi e lumtur, që ua kanë zili edhe njerëzit në vendet G7, ku pasanikët, për fat të keq, edhe punojnë shumë.

Kështu që, përgjigjen për 2008-n, unë e kam pozitive.

Thonë që në Shqipëri ka halle, ka uri, ka njerëz që lypin e pensionistë që rrëmojnë nëpër plehra për të gjetur diçka për të shuar urinë e tyre, por mua më duket se këto janë sajesa gazetash, sprova letrarësh lloj-lloj.

Shqiptarët që njoh unë, në vitin 2008, kanë qenë të lumtur!

Më shumë nga Aktualitet

Të gjitha ›