E Shtunë, 31 Tetor 2026

Riemërimet e paligjshme

Pesë gjyqtarë të Gjykatës Supreme të Kosovës nuk kanë qenë fare prezent më 19 shkurt, në ceremoninë e dekretimit nga ana e Presidentit të Republikës.
Ata nuk kanë pasur fare nevojë, ngase mandatin e tyre, përmes një vendimi, ua ka vazhduar Këshilli Gjyqësor i Kosovës (KGJK).

Disa prej tyre janë gjyqtarët Meleqe Behxheti, Avdi Dinaj, Tahir Rreci dhe njësoj sikurse këta, në atë ceremoni ka munguar edhe prokurori i shtetit, Vesel Jashari.

Në fakt, këta janë zyrtarët të cilët nuk kanë pasur fare nevojë të lodhen as për të kaluar testet e organizuara nga Komisioni i Pavarur Gjyqësor dhe Prokurorial i Kosovës (KPGJP).

Por me këtë vendim të KGJK-së duket se nuk ka mundur të pajtohet Tahir Rrecaj, i cili sapo ka kuptuar se çfarë ka ndodhur, ka dhënë dorëheqje nga pozita e gjyqtarit të Gjykatës Supreme.

Sipas tij, mënyra e zgjedhjes së kryetarit të Gjykatës Supreme dhe vazhdimi i mandateve të disa prej tyre pa hyrë as në testin e etikës, ka qenë e papranueshme dhe e paligjshme.
Bazuar në ligj, të gjithë është dashur të hyjnë në këtë test, ashtu siç kanë vepruar edhe gjyqtarë dhe prokurorë të të gjitha niveleve të sistemit të drejtësisë, edhe pse kjo nga shumë gjyqtarë është parë si gjë banale.

Pas tridhjetë vjet përvojë pune, atyre u është dashur t’iu përgjigjen pyetjeve për etikën profesionale dhe personale, duke bërë që shumë nga ta të mos arrijnë ta kalojnë.

Por Tahir Rrecaj, edhe pse i është vazhduar mandati si gjyqtar në Gjykatën Supreme të Kosovës, nuk ka pranuar të punojë në këtë mënyrë, kur tërë kolegët e tij është dashur të kalojnë në shumë teste.

Rrecaj të mërkurën nuk ka dashur të japë asnjë sqarim shtesë, duke deklaruar se krejt çfarë ka pasur të thotë, u është shpërndarë medieve përmes një deklarate.

Kjo letër e shpërndarë nga Rrecaj, bën përgjegjës, përveç të tjerëve, edhe kreun e shtetit, Fatmir Sejdiun, për të cilin thotë se ka dekretuar zyrtarë të drejtësisë që kanë kaluar në një proces me plotë parregullsi edhe ligjore.

Në këtë deklaratë, ai ka sqaruar se ka konkurruar si të gjithë të tjerët për dy pozita, edhe pse ajo për kryetar të Gjykatës Supreme të Kosovës, ka qenë në kundërshtim me Kushtetutën e vendit.

Sipas tij, kryetarin e Gjykatës Supreme të Kosovës e emëron dhe e shkarkon Presidenti, e ai duhet të jetë njëri nga anëtarët e Gjykatës dhe i cili ka mandat shtatëvjeçar.

Duke përmendur edhe ligjet dhe nenet përkatëse, Rrecaj ka deklaruar se nuk ka dashur të punojë si gjyqtar në Gjykatën Supreme të Kosovës duke u bazuar edhe për një arsye tjetër.

Rrecaj sqaron se duke u bazuar në ligj, të gjithë pa përjashtim, është dashur të hyjnë në testin e etikës, edhe pse një provim i tillë nuk do të thotë se me përgjigje të mësuara përmendësh, gjyqtari apo prokurori ka etikë profesionale apo personale.

“Pastaj, mund të gjendesh në ndonjë situatë kur ndonjë palë, me qëllim apo pa të do të thotë se nuk mund ta gjykosh kur nuk e ke të kaluar as provimin etikës”, ka sqaruar ndër të tjera në letrën e tij, Tahir Rrecaj, tash ish-gjyqtar në Gjykatën Supreme të Kosovës.

Derisa Rrecaj duket se është i qetësuar me vendimin e tij, ky proces i mbajtur jashtëzakonisht sekret nga KPGJP, duket se ka nisur të shkaktojë tensione.

Burime të Expressit brenda Gjykatës Supreme tregojnë se tetë të dekretuarit e tjerë ndjehen të fyer me tërë ato procedura që është dashur t’i ndjekin për të mbërritur aty, ndërkohë që gjyqtarët e tjerë, thjesht kanë shikuar.

“Kur është kuptuar se jo të gjithë gjyqtarët në Gjykatën Supreme kanë qenë të trajtuar njësoj nga KPGJP-ja dhe Këshilli Gjyqësor i Kosovës, atëherë situata është tensionuar”, thotë ky burim për Express.

Përveç Gjykatës Supreme, as në Prokurorinë e Shtetit, situata nuk është më mirë.

Sherri aty ka plasur edhe për faktin kur është parë se kush është emëruar si prokuror.

Sipas këtij zyrtari, kur është parë se prokurorë janë edhe të atillë që kanë shërbyer deri në vitin 1999 ose që kanë marrë pjesë në tubimin e Milosevicit në Gazimestan, në vitin 1989, atëherë ka nisur të tensionohet situata.

“Aty janë vendosur edhe prokurorë që kurrë nuk kanë punuar në këtë punë, por vetëm si bashkëpunëtorë”, thotë ky burim i gazetës.

Derisa të mërkurën ka qenë e pamundur të kontaktohet Lirie Osmani, kryetare e KGJK-së, një ditë më herët, në deklarimin për media, ka pranuar se ekzistojnë tensionet ndërmjet këtij këshilli dhe KPGJP-së të drejtuar nga ndërkombëtarët.

Më shumë nga Kronika

Të gjitha ›