E Shtunë, 31 Tetor 2026

Thaçi premton edhe 4 universitete publike

Kryeministri Hashim Thaçi ka premtuar se gjatë viteve në vijim do të hapen edhe katër universitete publike, krahas atij të Prizrenit, që tashmë ka filluar së realizuari si projekt dhe Universitetit Evropian të Mitrovicës, për të cilin Thaçi ka thënë se është prioritet i Qeverisë së Kosovës.

Para ligjvënësve të Kuvendit të Kosovës, Thaçi ka thënë se pas hapjes së Universitetit të Prizrenit do të hapen degët e tij në Gjakovë dhe në Pejë, ndërkaq më vonë do të hapen universitete në këto dy qytete, sikurse edhe në Gjilan dhe Ferizaj.

Thaçi i bëri këto komente duke iu përgjigjur pyetjeve të deputetes së AAK-së, Gjylnaze Syla dhe asaj të LDD-së, Dritë Maliqi, të cilat kanë kërkuar data se kur do të hapen këto universitete. Deputetet opozitare e kanë kritikuar kryeministrin se po jep premtime për hapje të universiteteve vetëm në vendet prej nga vjen ai.

“Vendlindja ime është Kosova dhe unë investoj në gjithë Kosovë, jo vetëm në lagjen time, apo në vendin ku kam lindur. Unë nuk kam lindur në Prizren, por do të investoj atje. Investimet nuk do të ndalen, as në infrastrukturë, as në universitete”, ka thënë Thaçi, transmeton KosovaPress.

Thaçi ka theksuar se hapja e universiteteve nuk duhet të bëhet me ndarje partiake a rajonale.

Më shumë nga Politika

Të gjitha ›