E Shtunë, 31 Tetor 2026

Rifillojnë negociatat Greqi-Maqedoni

Ndërmjetësi i OKB-së, Mathew Nimitz ka ftuar më 9 shkurt në New York ambasadorin e Maqedonisë, Zoran Jolevskin dhe ambasadorin grek Vasilakis, për të rifilluar bisedimet për çështjen e emrit. Nga Express më 13 janar 2011 në ora 16:30

Pas një ngecjeje njëvjeçare, në New York do të rifillojnë negociatat midis Maqedonisë dhe Greqisë për çështjen e emrit. Analistët kërkojnë inkuadrimin e drejtpërdrejtë të SHBA-së dhe BE-së në bisedime.

Maqedonia, vitin që sapo kemi hyrë e ka vlerësuar si vit të mundshëm kthese në mbylljen e çështjes së emrit. Shkupi është i gatshëm të jetë pjesëmarrës aktiv në negociata dhe të tregojë konstruktivitet që të zgjidhet kontesti për emrin, ka thënë kryeministri i Maqedonisë, Nikola Gruevski.

“Mathew Nimitz ka konfirmuar takimin në fillim të muajit shkurt, ne do të shkojmë në atë takim sepse dëshirojmë zgjidhje, duam të vijmë deri te ndonjë zgjidhje. Se a do të ketë bisedime thelbësore do të varet nga pala tjetër”, ka thënë kryeministri Gruevski.

Kryetari i BDI-së, Ali Ahmeti, partia e të cilit është partnere e koalicionit qeveritar, në një takim me qytetarët është shprehur për domosdoshmërinë e kyçjes së SHBA-ve dhe BE-s në zgjidhjen e çështjes së emrit.

“Mendoj që do të jetë zgjidhja shumë më e shpejt dhe më e suksesshme nëse angazhohen Shtetet e Bashkuara të Amerikës, NATO-s dhe Bashkimi Evropian”, thotë Ahmeti.

Analisti politik, Rizvan Sulejmani ka parasysh faktin se dialogu politik në Maqedoni është në krizë dhe nuk ka një force të brendshme, që të jetë e vetëdijshme për pozitën në të cilën gjendet Maqedonia për ta shtyrë procesin e çështjes së emrit para.

Ai thotë se kyçja e faktorëve me rëndësi ndërkombëtare për zgjidhjen e problemit të emrit është domosdoshmëri e kohës.

“Nevoja që një faktor i jashtëm kyç, siç janë SHBA apo BE, të ndërmjetësojë, bile edhe për çështje të brendshme, pothuajse është më se e nevojshme”, shprehet Sulejmani.

Profesori i universitetit, Hasan Jashari thotë se negociatat e deritanishme për emrin nuk kanë dhënë ndonjë rezultat konkret, andaj me një pjesëmarrje më aktive të SHBA-së dhe BE-s mund të ketë një zgjidhje të situatës ose një afrim të dallimeve.

“ Ky problem është mjaft i ndërlikuar, qeveria e tanishme nuk është e gatshme që të bëjë një kërcim kualitativ dhe një qasje të mirëfilltë të zgjidhjes së problemit,“ vlerëson Jashari.

Analisti Albert Musliu është i mendimit se SHBA dhe BE nuk do të pranojnë rolin e ndërmjetësuesit për çështjen e emrit, edhe pse ata kohë pas kohe kanë ndikim në intensitetin e negociatave.

Sipas tij është Maqedonia ajo që duhet të tregojë gatishmëri më serioze për zgjidhjen e çështjes së emrit. Në prag të fillimit të negociatave në New York, nga Maqedonia mungon paralajmërim serioz se gjërat do të lëvizin nga vendi.

“ Ata gjithë shprehin vullnet të mirë, shprehin optimizëm se do të përmbyllet çështja, por ne nuk flasim për aktorë neutralë, ne flasim për lidershipin e shtetit, i cili duhet të jep paralajmërime konkrete për përmbylljen e çështjes, unë ato paralajmërime nuk i kam parë, përveç optimizmit se me atë çështje do të merren në mënyrë më serioze", thotë Albert Musliu.

Ndërmjetësi i OKB-së, Mathew Nimitz ka ftuar më 9 shkurt në New York ambasadorin e Maqedonisë, Zoran Jolevskin dhe ambasadorin grek Vasilakis, për të rifilluar bisedimet për çështjen e emrit.

Më shumë nga Ndërkombëtare

Të gjitha ›