Gripi i derrit, dyshime për 11 raste të reja. Janë me virusin A
Instituti i Shëndetit Publik, bën thirrje për një tjetër masë nga gripi. Këtë radhë bëhet fjalë për gripin e zakonshëm dhe jo atë të derrave. Edhe pse i lidhur, me efektet e këtij të fundit, ISHP, bën apel që qytetarët të vaksinohen sa më shpejt me vaksinën normale të gripit. Frika është bashkimi i të dy llojeve të gripit, çka do të amplifikonte efektet e gripit të derrave dhe rrezikun jetësor të AH1N1. Sipas të dhënave, deri tani shoqëritë farmaceutike kanë porositur përpara kohe këtë vit, vaksinat e gripit. Në total parashikohet që të vaksinohet rreth 3 për qind e popullsisë si një masë mbrojtëse e gripit normal. Vjet vaksinimi arriti në 70 mijë persona. Nga ana tjetër, Ministria e Shëndetësisë ka porositur vaksina për 10 për qind të popullsisë. Sipas të dhënave të fundit, pritet që numri i të infektuarve me grip derri të shkojë deri në 19. Aktualisht, të infektuarit e zbuluar janë tetë, por analizat që do të vijnë nga Bukureshti mund të çojnë në 19 numrin e të prekurve. Sipas të dhënave nga ISHP, nga 16 raste që janë dërguar për konfirmim në Rumani, 11 prej tyre janë konstatuar tashmë me virusin A, çka ka shumë mundësi që të jetë AH1N1, pra grip derri. Deri tani të tetë rastet që janë zbuluar në Shqipëri kanë pasur, simptoma të lehta dhe janë kuruar në shtëpi. Simptomat më të zakonshme të gripit janë kolla, temperatura, dhimbje fyti dhe debulesë trupore.