Pollo: "Mos neglizhoni FP7, rrezikon të digjet fondi për programin"
Nëse vazhdohet me këto ritme, Shqipëria rrezikon të djegë fondin e derdhur në programin FP7 "Programi i Shtatë Kuadër, për Kërkim e Zhvillim Teknologjik" për periudhën 2008-2013. Shuma e derdhur kap shifrën 200 mijë euro, sic bën të ditur ministri i Arsimit Genc Pollo, i cili tregoi edhe se numri i aplikantëve shqiptarë në këtë program është 71. Shkak për djegien e fondit të derdhur në këtë program, mund të bëhet numri i vogël i aplikimeve në këtë program nga ana e kërkuesve shkencorë vendas. Pollo, nuk e fshehu faktin se shifra e aplikantëve shqiptarë në Fondin Evropian të Kërkimeve Shkencore lë ende për të dëshiruar. Përfituesit e programit FP7 janë të shumtë, duke filluar nga institucionet kërkimore shkencore, universitetet, kompanitë private, entet publike dhe agjencitë e ndryshme qendrore e deri te individët, të cilët mund të aplikojnë, duke ndërtuar konsorciume me subjekte homologe të vendeve anëtare të BE-së, atyre kandidatë dhe kandidatë potencialë, si dhe vendeve të asocuara në këtë program, në përputhje me procedurat e aplikimit. "Aplikimi nuk është mbyllur akoma. Deri tani më njoftojnë se numri i aplikantëve është 71, pra mund të jetë edhe më shumë në sesionet e mëtejshme. Ne synojmë që të japin informacionin e duhur në mënyrë që të kemi një numër më të madh aplikimesh, mundësisht cilësore, që në fund të rezultojnë të suksesshme", deklaroi Pollo, duke i bërë thirrje edhe njëherë kërkuesve shkencorë në vend që të mos e neglizhojnë programin FP7. Në të njëjtën linjë me ministrin e Arsimit Pollo, ka qenë edhe komisioneri evropian për kërkimin shkencor, Janezh Potoncki, i cili ka kërkuar që Shqipëria të rrisë nivelin e financimit në kërkimet shkencore. "Shqipëria është vend i asocuar në programin FP7 ose në Hapësirën Evropiane të Kërkimit. Ky është një hap shumë i rëndësishëm që do të thotë që ju keni të njëjtat të drejta dhe detyrime në këtë program, ashtu si vendet e tjera të BE-së"- tha komisioneri Potoncki, duke kujtuar se aderimi i Shqipërisë në programin evropian FP7, ndikon në strategjinë që ka vendi ynë për integrimin në BE. Po kështu komisionieri i njohur, i ka kërkuar ministrit të Arsimit Genc Pollo, në takimin që pati me këtë të fundit, të rrisë bashkëpunimin me ministritë e tjera në fushën e kërkimit shkencor.
Dritan Laci