E Shtunë, 31 Tetor 2026

Rihaper dosja e atentatit ndaj Pangos

Atentati i Pangos ende pa autor, prokuroria urdhëron policinë për hetime të mëtejshme

TIRANË- Zyra e hetimeve të vrasjes pranë Drejtorisë së Policisë në kryeqytet prej disa javësh ka rimarr në dorë dosjen e pezulluar të atentatit të dështuar ndaj ish-dekanit të Shkencave Sociale në Universitetin e Tiranës,Ylli Pango i cili mëngjesin e 7 marsit të vitit 2003 nga shpërthimi i granatës mbeti i plagosur lehtë në disa pjesë të trupit. Ky lajm konfirmohet nga burimet pranë efektivave blu, të cilët shtuan se dosja është rihapur prej disa kohësh, ku janë kryer dhe po kryhen një sërë veprimesh procedurale në zbardhjen e këtij atentati me granatë dore. “Dosja penale e atentatit të dështuar ndaj profesorit Pango, që tashmë mban detyrën e Ministrit të Turizmit, Kulturës, Rinisë dhe Sporteve ka ardhur prej disa javësh në sektorin e vrasjeve pranë Drejtorisë së Policisë, për hetime të mëtejshme. Hetime po vazhdojnë me rivlerësimin e provave materiale të sekuestruara menjëherë pas ngjarjes”-thanë burimet e policisë. Gjithashtu, mësohet se dosja kohë më parë është deleguar nga policia e shtetit pranë Prokurorisë së Krimeve të Rënda e cila ka kryer një sërë veprimesh hetimore, por që mungesa e një gjurme gishti apo ndonjë prove tjetër ka bërë që kjo dosje të kthehet për rihetim në polici.

Pistat e hetimit që policia po heton janë të ndryshme,që nga ajo e cënimit të fjalës së lirë, pasi në atë kohë Pango shkruante në media opinione kundër fenomeneve të ndryshme të pushtetit tëatëhershëm,çështjet private si dhe problemet me studentët. Sipas këtyre burimeve, ngjarja ndaj profesor Pangos ka ndodhur mëngjesin e datës 7 mars të vitit 2003, ku pas tërheqjes së qepenit të derës së garazhit të makinës është tërhequr fija e najlonit me të cilën ishte lidhur siguresa e granatës që ishte vendosur anash derës në tubin e shkarkimit të ujërave të shiut. Pas këtij shpërthimi, ish-dekani i Fakultetit të Punëve Sociale Ylli Pango mori dëmtime të lehta në duar, këmbë dhe bark nga ciflat e granatës së shpërthyer.

Më shumë nga Aktualitet

Të gjitha ›