E Diel, 1 Nëntor 2026

Vetëvaret 76 vjeçari, vuante nga depresioni

TIRANË- Një i moshuar i ka dhënë fund jetës duke u vetëvarur në oborrin e banesës së tij. Ngjarja ndodhi dy ditë më parë në Kamzë të Tiranës kur 76-vjeçari Faik Zuna u gjet i varur në oborrin e banesës së tij. Kanë qenë familjarët ata që panë të moshuarin të varej në litar. Menjëherë ata janë përpjekur t’i japin ndihmën e parë por ka qenë e kotë pasi 76-vjeçari kishte ndërruar jetë. Menjëherë në vendin e ngjarjes mbërriti policia për të zbuluar shkaqet e këtij vetëflijimi. Efektivat e komisariatit të policisë nr.5, morën në pyetje familjarët e viktimës për të zbardhur rrethanat. Burimet policore thanë se nga hetimet e para rezulton se 76-vjeçari Faik Zuna vuante nga depresioni, gjë e cila dyshohet të ketë shtyrë atë drejt aktit fatal. Familjarët kanë deklaruar në polici se prej një viti Zuna kishte shfaqur shenja të depresioni, dozat e së cilës ishin shtuar kohët e fundit, ndërsa dy ditë më parë sëmundja duket se ka detyruar të moshuarin të ndërmarrë aktin ekstrem për jetën e tij. Ai ka shfrytëzuar mungesën e familjarëve të tij për tu vetëflijuar. Policia sekuestroi litarin me të cilin u vetëvar i moshuari, ndërsa deklaroi se po punohet për të zbardhur shkakun e vërtetë të këtij vetëflijimi. Trupi i 76-vjeçarit u transportua në morgun e spitalit për ekzaminime të mëtejshme dhe më pas iu dorëzua familjarëve.

Më shumë nga Aktualitet

Të gjitha ›