E Shtunë, 31 Tetor 2026

Rikonceptimi i Muzeut Kombëtar, projekti gati në mars

 

Alma Mile 

U bë kohë tashmë që përsëritet refreni i rikonceptimit të Muzeut Historik Kombëtar. Shumë drejtorë kanë ikur e kanë ardhur, kanë hartuar projekte, por asgjë nuk është bërë deri më sot. Idetë kanë arritur sa të hidhen në letër, më tej kanë ngecur tek paratë. Por mësojmë që një pjesë e fondit ekziston. Qeveria spanjolle ka akorduar një fond prej 3,2 milionë dollarësh për trashëgiminë kulturore shqiptare, ku pjesa e luanit i takon MHK-së. Kjo ndërhyrje financiare, në kuadrin e programit “Kultura dhe trashëgimia për zhvillimin social dhe ekonomik”, pjesë e nismës “Një OKB” u prezantua dje në një takim me pjesëmarrës, përfaqësues të qeverisë spanjolle, PNUD-it, UNESCO-s, që janë koordinatorë të programit dhe pala shqiptare, politikëbërës dhe specialistë të fushës. Gjatë takimit të djeshëm ndërsa u fol për rëndësinë e këtij programi, ndër të tjera u përmend edhe fakti se ky fond është akorduar qysh vitit të kaluar. Deri më sot nuk kemi parë ndonjë projekt a ndonjë zbatim konkret, këtë e dëshmon dhe fakti që ky program u prezantua pikërisht dje. Dhe dihet se një fond parash nëse nuk lëvrohet brenda vitit, atëherë ai rrezikon të digjet. Megjithatë përfaqësuesi spanjoll u shpreh se projekti, të paktën për Muzeun Kombëtar do të jetë gati në muajin mars, pra në limitin e mundshëm kohor. Deri tani mësojmë se është zhvilluar vetëm një takim mes specialistëve të muzeologjisë dhe koordinatorëve spanjollë. Këta të fundit kanë shënuar të gjitha vërejtjet e palës shqiptare dhe mbi to kanë hedhur piketat e projektit të rikonceptimit. “Ne nuk kemi filluar ende të mendojmë për ndërhyrje konkrete, së pari ne duhet të dimë se çfarë duam, kujt i shërben dhe cilat janë qëllimet që ne kemi. Koncepti i muzeut do të zhvillohet më tej nëpërmjet asistencës së ekspertëve ndërkombëtarë dhe kombëtarë. Ideja është që do mendohet për të integruar një koncept të ri mes koleksionit ekzistues dhe ekspozitave që mund të integrohen në këtë koncept”, - thotë Engelberd Ruos, përfaqësues i zyrës së UNESCO-s në Venecia. Edhe pse drejtori i MHK-së, Kasëm Biçoku nuk na jep ndonjë detaj mbi këtë projekt të shumëpritur, mësojmë se kjo fazë ndërhyrjeje lidhet më së shumti me ndërhyrjen në godinën e muzeut, e cila sipas specialistëve paraqet shumë probleme sa i takon kushteve për ruajtjen e objekteve. Sipas përfaqësuesit të UNESCO-s Engelberd Ruos, ky projekt synon kthimin e Muzeut Historik Kombëtar në një muze të përmasave ndërkombëtare. Përpos rikonstruksionit të godinës së Muzeut, faza thelbësore është ajo e rikonceptimit përmbajtësor të MHK-së. Sipas specialistëve është e nevojshme që muzeu të flasë më së shumti përmes objekteve sesa përmes stendave, të cilat për turistët e huaj janë të pakuptueshme. Do të ndërhyhet në pavijonin e arkeologjisë, etnografisë, pavarësisë, të gjenocidit, etj., të cilat kanë nevojë të rindërtohen mbi baza shkencore.

Problemet

Në muajin mars pritet të fillojë projekti për rikonceptimin e Muzeut Historik Kombëtar. I ndërtuar në vitin 1981, MHK paraqet një sërë problemesh. Përveç përmbajtjes e cila duhet parë në kushtet e reja historike, paraqet probleme serioze në infrastrukturë. Specialistët thonë se ka nevojë urgjente për përmirësimin e sistemit të kondicionimit, të izolimit dhe të ndriçimit, si pasojë e së cilave janë dëmtuar shumë objekte të muzeut. Gjithashtu, kërkohet edhe ndihmë në aspektin e burimeve njerëzore, punonjësit aktualë të MHK-së kanë nevojë për trajnime dhe specializime mbi trajtimin e objekteve.

Më shumë nga Aktualitet

Të gjitha ›