E Diel, 1 Nëntor 2026

Thaçi: Serbët dështuan, njohjet do të vazhdojnë

 

Kryeministri i Kosovës, Hashim Thaçi i ka vlerësuar të dështuara përpjekjet e serbëve në Zveçan gjatë mbledhjes së parlamentit serb, ku është kundërshtuar edhe një herë akti i shpalljes së pavarësisë dhe vendimeve të marra pas 17 shkurtit 2008.

 Gjatë mbledhjes së Qeverisë, Thaçi i ka emëruar iniciatorët e kësaj mbledhjeje, si mbeturina të Gazimestanit të periudhës së Millosheviçit. Një ditë më parë Kosova festoi në mënyrë madhështore një vjetorin e parë të pavarësisë. Rezolutën e serbëve kundër vendimit të 17 shkurtit 2008, Thaçi e quajti të dështuar dhe theksoi se të tilla kanë qenë edhe vendimet e mëparshme të tyre, pasi Kosovën nuk mund ta kthejë pas asgjë. Rreth 80 deputetë e ministra të ardhur nga Beogradi në fshatin Zveçan të pjesës veriore të Kosovës më 17 shkurt, bashkë me 31 përfaqësues nga komunat serbe në Kosovë, ‘miratuan’ dokumente që ‘anulojnë’ shpalljen e pavarësisë dhe çdo dokument zyrtar që rrjedh pas saj të miratuar nga Prishtina zyrtare. Por Kosova nuk i konsideron këto dokumente. Madje është zotuar të ruajë edhe pjesën veriore të saj, të cilën Serbia e lakmon aq shumë. Qeveria e Kosovës në mbledhjen e djeshme ndau 320 mijë euro për të paguar qiratë e banorëve të zhvendosur nga veriu i Mitrovicës, derisa të krijohen kushtet për kthim në shtëpitë e tyre. Thaçi tha se një hap i tillë ndërmerret edhe për të parandaluar shitjen e pronave të qytetarëve të Kosovës në veriun e Mitrovicës. Qëndrimin kategorik kundër humbjes së veriut të vendit kryeministri i Kosovës e deklaroi edhe në një intervistë për gazetën polake “Djenjik” marrë me rastin e përvjetorit të pavarësisë. I pyetur mbi opsionin e ndarjes së pjesës veriore, Thaçi tha se: “Zgjidhja e bazuar në çelësin etnik nuk na jep asnjë rrugëdalje nga situata. Kosova do të jetë shtet në kuadër të kufijve ekzistues”. Kryeministri kosovar ka shfaqur shpresën se Serbia do të shohë nga e ardhmja, e jo nga e kaluara. “Të gjitha vendet që duan të integrohen në BE duhet t’i respektojnë vlerat dhe normat evropiane. Ne këtë po e bëjmë”, ka thënë Thaçi. Kryeministri kosovar ka shtuar se: “Kosova tani është e gatshme t’i marrë mbi vete të gjitha kompetencat e shtetit sovran dhe demokratik”. Kreu i qeverisë falënderoi qytetarët për festimet dinjitoze dhe të paqme me rastin e festës së përvjetorit të parë të shtetit. Për sa i përket mbështetjes për pavarësinë, Thaçi përmendi mesazhet e urimit të burrështetasve të shumtë nga e gjithë bota. Ai u zotua se institucionet e Kosovës do të vazhdojnë angazhimet për krijimin e një shoqëria demokratike ku sundon ligji dhe rendi. Kreu i qeverisë së Kosovës konfirmoi zyrtarisht ftesën e Sekretares amerikane të Shtetit, Hilari Klinton drejtuar Presidentit Fatmir Sejdiu dhe Kryeministrit për t’u takuar në Departamentin e Shtetit në fund të këtij muaji.

Më shumë nga Aktualitet

Të gjitha ›