Haradinaj, ndërmjetës paqeje
Kryengritësit myslimanë në Ugandë kanë kërkuar ish-kryeministrin e Kosovës, Ramush Haradinaj, si ndërmjetës në bisedimet paqësore mes tyre dhe Qeverisë, sipas Agjencisë “Frans-press”. Sipas zëdhënësit të kryengritësve, kandidatura e Haradinajt është e përshtatshme, pasi ai ka kaluar nëpër shumë përvoja, përfshirë edhe atë të luftëtarit. “Frans-press” citon ministrin e Shtetit për çështje të brendshme të Ugandës, Matiah Kasiaj, të ketë thënë se nuk ka asnjë kundërshtim ndaj zgjedhjes së Haradinajt. Vetë Haradinaj nuk ka dashur të komentojë rreth këtij hapi të ugandasve i kontaktuar nga REL. Kasiaj tha gjithashtu se Qeveria e Ugandës planifikon të dërgojë një delegacion për të takuar Ramush Haradinajn. “Ne nuk e kundërshtojmë përzgjedhjen e tij”, tha Kasiaj për AFP.