Ekstradohen nga Kanadaja e Italia tre shqiptarë të kërkuar për krime
TIRANE - Interpoli ka kthyer dje në Rinas nga Kanadaja dhe Italia 3 persona, të cilët kërkoheshin prej vitesh nga drejtësia shqiptare. Leonard Mehmeti, 46 vjeç nga Vlora është ekstraduar nga Kanadaja, pasi është dënuar me 12 vjet heqje lirie për veprën penale të “vjedhjes me armë”, kryer në bashkëpunim. Mehmeti në bashkëpunim me Ardian Muhon i kanë grabitur me armë R.Micit, shumën prej 45 mijë markash gjermane. Ngjarja ka ndodhur më 21 mars të vitit 1995, në Vlorë. Ndërkohë Interpol Tirana ka kryer ekstradimin nga Milano e Italisë të 36-vjeçarit Edmond Etemaj nga Berati. Gjykata e Shkallës së Parë Berat, në vitin 2004, e ka dënuar Etemaj me 9 vjet burg për kryerjen e veprës penale të “shfrytëzimit të prostitucionit në rrethana rënduese”. Sipas vendimit të gjykatës, në vitin 1996, Ferdinant Etemaj, pasi është njohur me vajzën me iniciale J.A., i ka premtuar asaj ta çonte në Itali dhe të martohej me vëllain e tij, Edmont Etemajn. Pasi kanë mbërritur atje, kanë shkuar në shtëpinë e Edmond Etemajt, ku ndodhej dhe një vajzë tjetër me iniciale A.K., e cila shfrytëzohej për prostitucion nga Ferdinanti. Ata i kanë kërkuar vajzës J.A. të punonte si prostitutë. Ajo ka refuzuar dhe, si rrjedhojë, Ferdinanti dhe Edmonti kanë ushtruar dhunë fizike mbi të, duke e detyruar të prostituojë në Torino për 3 vjet. Gjithashtu nga Roma është ekstraduar Përparim Sina, 30 vjeç nga Durrësi. Gjykata e Durrësit në vitin 1998 e ka dënuar atë me 6 vjet burg për veprën penale të “vjedhjes me dhunë”.