Ministri britanik, Coaker: Të mos ushtrohet ndikim politik në polici
TIRANE – “Policia duhet të jetë në gjendje të operojë lirshëm dhe në mënyrë të drejtë. Është e rëndësishme të mos ushtrohet asnjë ndikim politik i papërshtatshëm, pasi ky përbën parimin themelor me rëndësi për shtetin ligjor”. Vernon Coaker, ministri britanik i Shtetit për Krimet dhe Policinë, pohoi kështu dje gjatë takimit të dytë të komitetit drejtues të PAMECA III, misionit të Asistencës Policore të Bashkimit Evropian në Shqipëri. Takimi u zhvillua dje në Tiranë, ku veç ministrit Coaker ndodheshin të pranishëm ministri i Brendshëm, Bujar Nishani, anëtarë të Parlamentit, si dhe zyrtarë të lartë nga Britania e Madhe dhe Austria. Delegacioni i Komisionit Evropian në Shqipëri, i cili financon tërësisht këtë projekt, me një vlerë prej më shumë se 5.5 milionë euro, përfaqësohej nga z.Aneil Singh. PAMECA III zbatohet nga Ndërmarrjet e Sektorit Publik të Irlandës së Veriut (NI-CO) Ltd në partneritet me qeveritë britanike dhe austriake. Takimi u përqendrua kryesisht në një rishikim të progresit të arritur nga projekti në fushat e pavarësisë politike të policisë, ndërgjegjësimin e policisë me të drejtat e njeriut, menaxhimin e integruar të kufijve dhe rëndësinë e zhvillimit të mëtejshëm të Policisë Komunitare. Gjatë fjalës së vet, Coaker tha se “është shumë e rëndësishme që policia të ketë stabilitet në punën e saj dhe se duhet frenuar dëshira për të lëvizur nga detyra oficerë me pozicione kyçe”. Ndërsa Singh pohoi se sfida për “PAMECA III” është të punojë në partneritet me qeverinë shqiptare, në mënyrë që të realizojë me sukses objektivat e përcaktuara bashkërisht dhe të tregojë rezultate të matshme dhe të prekshme. Më tej ai tha se ky do të ishte objektivi themelor për të rritur besimin e shqiptarëve e partnerëve ndërkombëtarë në Policinë Shqiptare. Fjala e Nishanit u përqendrua në arritjet e deritanishme të PAMECA-s, veçanërisht në fushat e përmirësimit të performancës së Policisë së Shtetit për të mundësuar një menaxhim më të mirë të burimeve të saj teknike e financiare. Nishani tha: “PAMECA III ka ndjekur dhe do të ndjekë një metodë pune të hapur, transparente e bashkëkohore, të aksesueshme nga të gjitha palët përfituese dhe partnerët. Duke punuar nga afër dhe duke vendosur një dialog të hapur me përfituesit e partnerët, do të jetë e mundur që PAMECA III të arrijë plotësimin e nevojave dhe objektivave të policisë dhe ato të qeverisë”, thuhet në deklaratën e misionit europian. f.m.