E Diel, 1 Nëntor 2026

Rikonfigurimi i EULEX-it, De Marnhac niset drejt Brukselit

Një ditë pasi ka marrë lajmin se mandati si udhëheqës i EULEX-it do t`i shkurtohet, gjenerali francez, Xavier Bout de Marnhac, ka udhëtuar për në Bruksel. Bashkë me zëvendëskryeministrin Hajredin Kuçi do të marrë pjesë sot në disa takime me zyrtarë të Brukselit, të cilët do t`i njoftojnë për ndryshimet që do të ndodhin në EULEX.
Ndërrimi i shefit dhe zvogëlimi i madh i stafit pritet që të jetë ndryshimi më i madh pas 15 qershorit, kur EULEX-i do të fillojë mandatin e tretë 2-vjeçar, që kur ka nisur misionin në Kosovë.
Marnhac do të mbahet mend si udhëheqës i misionit në kohët kur EULEX-i është marrë me rastet më të rënda, por që ka dështuar të ballafaqohet me rastet e profilit të lartë për korrupsion dhe krim të organizuar.
Dështimi në rastin “Kleçka”, që nga vetë misioni ishte trajtuar si rasti më i madh i krimeve të luftës, i ka dhënë goditje të rëndë misionit, pak para ndryshimit që ka nisur të planifikohej shtatorin e vitit të kaluar. Por, goditja e rastit “Kleçka” mund të mos jetë e fundit para rikonfigurimit. Në prill të këtij viti, prokurorëve të EULEX-it u skadon mandati për hetimet në rastin e MTPT-së. Gati dy vjet më parë, EULEX-i ka bastisur ministrinë që drejtohej nga ish-ministri Fatmir Limaj, pronat e tij, kanë marrë në pyetje shumë persona dhe kanë dyshuar për korrupsion dhe keqpërdorim të miliona eurove.
 

Më shumë nga Ndërkombëtare

Të gjitha ›