Rikonstruktohet rruga “Abdi Toptani”, Rama: Sëshpejti punimet në sheshin “Skënderbej” Rruga "Abdi Toptani"

Në përfundimin e punimeve për rikonstruksionin e rrugës “Abdi Toptani”, kryebashkiaku Edi Rama, u shpreh se ëshë një nga akset e rëndësishme ndihmëse, që Bashkia e Tiranës ka menduar të rikonstruktojë, me qëllim përballimin e trafikut gjatë punimeve që do të kryhen për rehabilitimin e sheshit “Skënderbej”. “Sheshi “Skënderbej” prej kohësh është i projektuar, është edhe i financuar, por është edhe i bllokuar, për shkak të veshit të shurdhër të qeverisë dhe moszbatimit nga ana e saj, të detyrimit për të bërë një shpronësim që do të hapte aksin e Unazës së Vogël, duke mos lejuar që sheshi të degradojë deri në atë pikë ku është degraduar, duke u bërë shqetësim për të gjithë”, deklaroi Rama. Megjithatë, sipas tij, “pavarësisht kësaj pengese të mosarsyes, do të vazhdojnë punën dhe së shpejti do rifillojnë punimet në shesh, falë këtyre akseve që po përgatisim, për të përballuar fluksin e trafikut që duhet devijuar nga sheshi”. Ai tha se “do të jetë një kantier jashtëzakonisht i rëndësishëm, por edhe jo i lehtë, qoftë edhe për shkak të problematikës që do i krijojë trafikut”.