Rikonstruktohet rruga "Sami Frashri"
Me një fond prej 30 milionë lekësh nga të ardhurat e Bashkisë së Tiranës ka përfunduar sot rikonstruksioni i vazhdimit të rrugës “Sami Frashri“, që kalon poshtë digës së Liqenit Artificial dhe paralel me të.
Kryetari i Bashkisë së Tiranës, Edi Rama, i pranishëm në përurim u prononcua për mediat duke u shprehur: “Dëgjoj Kryeministrin që hakërrehet në Parlament si i forti i mëhallës, pastaj turret e u merr gërshërët e inaugurimeve nga dora kryetarëve të komunave për t’i bërë karshillëkun e vet qesharak Bashkisë së Tiranës, me rrugë fshati që s’i ka bërë as vetë. Nuk e fsheh dot më dështimin e plotë të politikës së tij të vjetër, të cilën shqiptarët do ta dënojnë përfundimisht me votë, duke çliruar Shqipërinë nga kthetrat e së shkuarës, për ta kthyer në model të suksesit dhe të së ardhmes, ashtu si Tirana evropiane që ne po transformojmë çdo ditë”.
Rruga ndodhet në jug të Tiranës dhe lidh bllokun e banimit pranë Kopshtit Zoologjik si dhe lagjen “Sauk” me rrugën “Sami Frashri“. Gjatësia e rrugës së trajtuar në këtë objekt është 632 metra. Gjerësia e rrugës pas rikonstruksionit është 8 metra (nga 6 metra ekzistues) dhe trotuaret janë trajtuar me shtresë betoni. Firma, e cila ka kryer punimet në këtë objekt, është “S.M.O. Union” & “Vitra“ sh.p.k.