E Shtunë, 31 Tetor 2026

Kur Oscar Wilde mbronte Dorian Gray

E kanë dashur dhe e kanë kritikuar shumë. E kanë vlerësuar dhe e kanë hedhur poshtë shumë herë. Veprat që solli në jetë, edhe u përçmuan prej elitës, edhe pse e njëjta elitë, nuk kalonte pa i lexuar me zell të madh nën rrogoz. Kritikoheshin veprat, por më shumë se gjithçka kritikohej jeta e tij e çlirët. Janë të shumtë ata që janë shprehur mbi shkrimtarin anglez, Oscar Wilde.

Një nga veprat më të njohura të tij, që është konsideruar edhe si një autobiografi e vetë shkrimtarit, "Portreti i Dorian Gray-t" është ai për të cilin flasim sot. Romani, fillimisht u botua në korrik të vitit 1890 në revistën "Lippincott‘s Monthly", ndërsa në vitin 1891 u publikua një perifrazim i romanit në revistën "The Fortnightly", kjo për t‘iu përgjigjur disa polemikave që shpërthyen asokohe mbi romanin. Në prill të po atij viti, Wilde botoi romanin, duke përfshirë edhe këtë perifrazim. Sot, "Portreti i Dorian Gray" vlerësohet si një kryevepër e letërsisë angleze, një vlerësim deri në kult i bukurisë së vërtetë. Veprat e tij konsiderohen si një "sulm" antikonformist dhe antiviktorian kundër moralit të borgjezisë angleze. Edhe vetë jeta për Wilde, konfigurohet si një vepër arti e arritur. Wilde rrëzon principin, sipas të cilit është arti ai që imiton jetën, duke e transformuar në jeta imiton artin. Për të, jeta është produkt dhe rezultat i artit. Por t‘i kthehemi romanit. A përcjell ai vetëm një portret të Dorian Gray-t, apo portretin e njeriut të ditëve tona? A flitet vetëm për një efekt magjie, apo për veprat e mjeshtërve të kirurgjisë? Kërkimi i bukurisë dhe fiksimi ndaj idesë së plakjes, e përshkruar më së miri nga Oscar Wilde në "Portretin e Dorian Gray-t", na bind se si njeriu në çdo kohë bëhet pre e fiksimeve të errëta që e bëjnë të ndjekur mitin e rinisë. Gjithçka nis kur piktori Basil Hallward, vendos të pikturojë të riun Dorian Gray, i cili ka një bukuri të jashtëzakonshme. I fiksuar nga ideja e plakjes, falë një magjie, ai bën të mundur që shenjat e plakjes dhe të veseve të shfaqen vetëm në portret, jo tek ai. Ai e braktis veten në kënaqësitë e jetës, shfrenohet para çdo kënaqësie, pa e ndier aspak peshën e atyre që kalon, por portreti po, tek ai gjithçka është e dukshme. Ai plaket, ka gjithnjë e më shumë rrudha, bëhet i ashpër, shpreh pandjeshmëri, dashakeqësi, ftohtësi. Dorian Gray nis ta përçmojë portretin dhe ta qëllojë me grushte, por në këtë mënyrë është jeta e tij që merr fund: në tokë, do të gjejnë trupin e pashpirt të një plaku të neveritshëm. Kjo është vepra për të cilën Wilde, u përball me një sërë akuzash e kritikash. Menjëherë pas botimit të parë të romanit në revistën "Lippincott‘s Monthly", në vitin 1890, romani u pasua me mjaft polemika, mes të cilave edhe një shkrim anonim, (që në fakt ishte e shkruar prej Samuel Henry Jeyes), i "St. James‘s Gazette", që doli nën titullin "A Study in Puppydom". Prej këtij shkrimi nis një seri përgjigjesh e kundërpërgjigjesh mes shkrimtarit Oscar Wilde dhe gazetës në fjalë, e cila thuajse gjithmonë i botonte letrat e tij me një shënim poshtërues ndaj autorit. Asnjë fije zemërate, apo "ngritje zëri" e dukshme, nuk ndihet në përgjigjet e shkrimtarit. Me mjaft finesë, ai i thotë sa ka për të thënë në mbrojtje të romanit të tij. "Anglia është një vend i lirë dhe kritika angleze është krejtësisht e lirë. Ndër të tjera më duhet të pranoj se, për temperament apo për shijet e mia, apo për të dyja këto, jam i paaftë të kuptoj se si çdo vepër arti mund të kritikohet duke u bazuar në moral. Sfera e artit dhe sfera e etikës janë absolutisht të ndara dhe të ndryshme...", shkruan Wilde në letrën e parë dërguar në redaksinë e "St Jammes‘s gazete". "Ajo për të cilën kundërshtoj me të gjithë forcën time është që ju e keni mbushur qytetin me kartela në të cilat ishte stampuar me germa kapitale: SHFAQJA E RE PUBLICITARE E MR. OSCAR WILDE; NJË RAST I SHËMTUAR. Nëse shprehja "një rast i shëmtuar", i referohet librit tim, apo pozicionit aktual të qeverisë, këtë unë nuk di ta them. Ajo që ishte një budallallëk dhe sipërfaqësor, ishte përdorimi i termit "publicitet". Mendoj se mund ta them pa shumë mendjemadhësi, se nga të gjithë burrat e Anglisë, ai që ka më pak nevojë për publicitet, jam unë. Nuk mundem më duke e parë veten si objekt publiciteti. Nuk ndiej asgjë teksa e shikoj emrin tim të shtypur në ndonjë gazetë. Kronistët nuk më interesojnë më. Këtë libër e kam shkruar ekskluzivisht për kënaqësinë time personale dhe të shkruarit e tij më dha shumë prej kësaj ndjesie. Nëse do të bëhet i njohur apo jo, këtë unë e shikoj me mjaft indiferentizëm. Kam frikë zotëri, se publiciteti i vërtetë është artikulli juaj mjaft inteligjent. Publiku anglez, si masë, nuk interesohet për një vepër arti deri në momentin që dëgjon se ajo vepër është imorale dhe reklama juaj, do ta shtojë shumë dhe për këtë nuk kam asnjë dyshim, shitjen e revistës... Mbetem shërbyesi juaj i bindur", e përfundon letrën Oscar Wilde. Letra u botua në gazetë, por me një koment shumë ofendues për shkrimtarin më në zë të Anglisë së atyre kohërave. Kjo e detyron sërish Wilde të kthejë një tjetër përgjigje. Në përgjigjen nga ana e redaksisë, shkruhej se letra e Wilde ishte "përgjigjja më e mirë" që ai mund t‘i jepte artikullit të parë mbi Dorian Gray. "Por nuk është kështu", thotë shkrimtari. Edhe pse ai nuk dëshiron të vazhdojë deri në fund diskutimin e nisur, komenti ofendues e detyron të thotë se ai përmban sulmin më të pajustifikueshëm që është kryer ndonjëherë kundër një njeriu të letrave prej shumë vitesh këtej pari. "Të thuash se një libër si ky i imi duhet hedhur në zjarr, është një budallallëk. Ky është një veprim që bëhet vetëm me gazetat. "Autori i librit vijon më tej duke thënë se njësoj si artisti fisnik, konti Tolstoi, edhe unë marr kënaqësi prej subjekteve të rrezikshme. Mbi një thënie të tillë unë mund të përgjigjem kështu: "Arti romantik merret me përjashtimin dhe me individin. Të mirët i përkasin tipit normal, pra të zakonshmëve, dhe artistikisht nuk përbëjnë asnjë interes. Artistikisht, të këqijtë janë një objekt studimi mjaft interesant. Ata përfaqësojnë varietetin, të qenit të çuditshëm. Të mirët janë të arsyeshëm, të këqijtë zgjojnë fantazinë. Kritika juaj, e them këtë sepse dua t‘ju jap një titull onorifik, pohon se personazhet e romanit tim nuk kanë reflektim në jetë; se janë "tregime të thjeshta, që s‘bëjnë asnjë kacidhe, të mosekzistencës". E vërtetë. Nëse do të ekzistonin, nuk do t‘ia vlente barra qiranë që unë të shkruaja për ta. Funksioni i artistit është të shpikë dhe jo të raportojë lajme. Njerëz të tillë nuk ekzistojnë. Nëse do të ekzistonin, unë nuk do të shkruaja për ta. Jeta me realizmin e saj, e thajnë vazhdimisht materialin për artin. Kënaqësia supreme në letërsi është të realizojë atë që nuk ekziston. Dhe së fundmi më lejoni t‘ju them se ju keni riprodhuar në mënyrë gazetareske komedinë "Shumë zhurmë për asgjë"...". Oscar Wilde ndihej i detyruar të kthente përgjigje dhe të replikonte në mbrojtje të krijimit të tij. Ishte një e drejtë e tij, të cilën donte ta çonte deri në fund. Letrat e tij vijonin të publikoheshin në gazetë të shoqëruara me një shënim mjaft ofendues kundrejt personit të tij. Në shënimin redaksional që vijoi shkruhej se qeveria ndoshta do të bënte mirë të sekuestronte dhe të censuronte disa vepra. Kjo thënie e acaron shumë Wilde. "Si mundet një drejtor gazete të mbështesë teorinë monstruoze sipas së cilës qeveria e një vendi duhet të përdorë censurën mbi letërsinë. Kjo është një teori të cilën unë dhe çdo letrar që njoh, e protestojmë me të gjithë forcën dhe cilido kritik që i duket e arsyeshme kjo teori, është tërësisht i paaftë të kuptojë se cila është letërsia dhe cilat janë të drejtat e saj". Ai e përfundon letrën duke i shkruar: "Tani jam i sigurt, zotëri, se këto sulme ndaj meje dhe librit tim do të marrin fund. Ekzistojnë forma publiciteti që janë të pajustifikueshme". Kur për herë ngjiza idenë për një të ri që e shet shpirtin e vet në këmbim të rinisë së përjetshme - "ide e vjetër në historinë e letërsisë, por së cilës i dhashë një formë të re", thotë Wilde - ndjeu që, nga këndvështrimi estetik do të ishte e vështirë të mbante moralin në vend të dytë. Për shkrimtarin, morali i veprës është shumë i dukshëm. Dhe me të vërtetë, për Oscar Wilde, "Portreti i Dorian Gray", kishte një moral mjaft të qartë: çdo teprim, ashtu si edhe çdo heqje dore prej dëshirave e kënaqësive, sjell ndëshkimin e personit.

Drejtorit të "St. James‘s Gazette"

25 qershor 1890

Zotëri,

Lexova kritikën tuaj mbi tregimin tim "Portreti i Dorian Gray" dhe nuk kam nevojë të them se nuk propozoj të diskutoj mbi meritat apo jo, personalitetin apo mungesën e personalitetit. Anglia është një vend i lirë dhe kritika angleze është krejtësisht e lirë. Ndër të tjera më duhet të pranoj se, për temperament apo për shijet e mia, apo për të dyja këto, jam i paaftë të kuptoj se si çdo vepër arti mund të kritikohet duke u bazuar në moral. Sfera e artit dhe sfera e etikës janë absolutisht të ndara dhe të ndryshme... Ajo për të cilën kundërshtoj me të gjithë forcën time është që ju e keni mbushur qytetin me kartela, në të cilat ishte stampuar me germa kapitale: SHFAQJA E RE PUBLICITARE E MR. OSCAR WILDE; NJË RAST I SHËMTUAR. Nëse shprehja "një rast i shëmtuar" i referohet librit tim, apo pozicionit aktual të qeverisë, këtë unë nuk di ta them. Ajo që ishte një budallallëk dhe sipërfaqësor, ishte përdorimi i termit "publicitet". Mendoj se mund ta them pa shumë mendjemadhësi, se nga të gjithë burrat e Anglisë, ai që ka më pak nevojë për publicitet, jam unë. Nuk mundem më duke e parë veten si objekt publiciteti. Nuk ndiej asgjë teksa e shikoj emrin tim të shtypur në ndonjë gazetë. Kronistët nuk më interesojnë më. Këtë libër, e kam shkruar ekskluzivisht për kënaqësinë time personale dhe të shkruarit e tij më dha shumë prej kësaj ndjesie. Nëse do të bëhet i njohur apo jo, këtë unë e shikoj me mjaft indiferentizëm. Kam frikë zotëri, se publiciteti i vërtetë është artikulli juaj mjaft inteligjent. Publiku anglez, si masë, nuk interesohet për një vepër arti deri në momentin që dëgjon se ajo vepër është imorale, dhe reklama juaj do ta shtojë shumë, dhe për këtë nuk kam asnjë dyshim, shitjen e revistës....

Mbetem shërbyesi juaj i bindur

Oscar Wilde

26 qershor 1890

Zotëri,

... Të thuash se një libër si ky i imi duhet hedhur në zjarr, është një budallallëk. Ky është një veprim që bëhet vetëm me gazetat. "Autori i librit vijon më tej duke thënë se njësoj si artisti fisnik, konti Tolstoi, edhe unë marr kënaqësi prej subjekteve të rrezikshme. Mbi një thënie të tillë unë mund të përgjigjem kështu: "Arti romantik, merret me përjashtimin dhe me individin. Të mirët i përkasin tipit normal, pra të zakonshmëve dhe artistikisht nuk përbëjnë asnjë interes. Artistikisht, të këqijtë janë një objekt studimi mjaft interesant. Ata përfaqësojnë varietetin, të qenit të çuditshëm. Të mirët janë të arsyeshëm, të këqijtë zgjojnë fantazinë. Kritika juaj, e them këtë sepse dua t‘ju jap një titull onorifik, pohon se personazhet e romanit tim nuk kanë reflektim në jetë; se janë, "tregime të thjeshta, që s‘bëjnë asnjë kacidhe, të mosekzistencës". E vërtetë. Nëse do të ekzistonin, nuk do t‘ia vlente barra qiranë që unë të shkruaja për ta. Funksioni i artistit është të shpikë dhe jo të raportojë lajme. Njerëz të tillë nuk ekzistojnë. Nëse do të ekzistonin, unë nuk do të shkruaja për ta. Jeta me realizmin e saj, e thajnë vazhdimisht materialin për artin. Kënaqësia supreme në letërsi është të realizojë atë që nuk ekziston. Dhe së fundmi më lejoni t‘ju them se ju, keni riprodhuar në mënyrë gazetareske komedinë "Shumë zhurmë për asgjë"... I shkreti publik, kur të mësojë nga një autoritet kaq i lartë se ky është një libër i lig, do të vrapojë padyshim për ta lexuar. Por, i mjeri, do të mësojë se bëhet fjalë për një histori që e ka një moral. Dhe morali është ky: çdo teprim, ashtu si çdo heqje dore, sjell ndëshkim.


Më shumë nga Aktualitet

Të gjitha ›