Ndoka: ISKSH-ja, financues i spitaleve
Instituti i Sigurimeve Shëndetësore do të jetë financuesi i vetëm i shëndetësisë dhe i spitaleve. Drafti i ligjit, që do t‘i japë këtij instituti të gjitha kompetencat për të qenë financuesi më i madh i të gjithë sistemit shëndetësor, përfshirë këtu edhe spitalet, është duke u shqyrtuar nga grupet e specialistëve. Pas deklaratave të mjekëve të QSUT-së, për reforma të thella në shëndetësi, ministri Nard Ndoka ka reaguar duke sqaruar se problemet e këtij sistemi janë të trashëguara nga e kaluara dhe në të njëjtën kohë, pavarësisht kësaj, është duke u punuar për të vendosur sa më shpejt në zbatim këtë reformë. "Pika më kulmore e këtyre reformave janë dy ligjet themelore të sistemit, ai për kujdesin shëndetësor dhe për financimin e shërbimit shëndetësor, që pritet të bëjnë një ndarje të qartë nga modeli i vjetër organizativ dhe që do të krijojnë një perspektivë të re evropiane për shëndetësinë shqiptare. Për këto dhe një sërë paketash të tjera ligjore, Ministria e Shëndetësisë ka punuar intensivisht, duke përmbushur edhe detyrimin e saj kushtetues e ligjor, si organ politikëbërës në fushën e shëndetësisë", njoftoi dje, zyrtarisht Ministria e Shëndetësisë. "Financimi i shëndetësisë nga ISKSH-ja do të jetë arritja më e madhe dhe njëkohësisht edhe reforma më e madhe e përmbushur ndonjëherë". Sipas Ministrisë së Shëndetësisë, hedhja poshtë e të gjitha arritjeve dhe përpjekja për të përfolur sistemin aktual shëndetësor, është sa e papranueshme aq edhe spekulative. "Gjatë viteve të fundit janë bërë përpjekje të mëdha për t‘iu afruar sa më shumë synimit tonë për një kujdes shëndetësor të sigurt dhe me cilësi të mirë, me një ekuilibër optimal midis barazisë dhe kosto-efektivitetit", sqaron ministria, pas deklaratave të mjekëve për reformë dhe ndryshime rrënjësore në QSUT.
Sipas të dhënave që referon ministria, janë realizuar investime të mëdha në infrastrukturë, pajisje, teknologji dhe në kualifikimin e personelit. Vetë QSUT-ja ndodhet në një fazë të rëndësishme të modernizimit të saj, nga një qendër spitalore problematike, në një qendër spitalore të standardeve bashkëkohore.
"Ky qëndrim i qartë dhe konsekuent i Ministrisë së Shëndetësisë nuk ka të bëjë me fushatën spekulative dhe denigruese që ditët e fundit kanë ndërmarrë ndaj sistemit shëndetësor disa individë e grupe interesi", theksohet në qëndrimin zyrtar të këtij institucioni.