Berluskoni, triumfon sërish
Dy vjet më parë, Silvio Berluskoni humbi zgjedhjet, të cilat ai shpresonte se do ta bënin kryeministër të Italisë për pesë vjet të tjera. Ai nuk e pranoi asnjëherë humbjen. Ridalja e tij në skenë dje, duke fituar një mandat të tretë në një fitore absolute, nuk tregoi se Italia ndihet e lëkundur ndaj së majtës, por vërtetoi se vota e tij ishte "grabitur" herën e fundit dhe se pjesa më e madhe e italianëve e dëshironin atë në pushtet gjatë gjithë kohës, tha ai. "Unë nuk mund ta mohoj se mendoj që zgjedhjet e 2006-s ishin të parregullta. Rezultati që arritëm sot është një provë për këtë", tha Berluskoni me telefon në një emision televiziv, pasi rivali i tij, Valter Veltroni, e pranoi humbjen. Berluskoni, 71 vjeç, nuk është një "humbës" i mirë, pasi i gjithë personaliteti i tij është bazuar në fitore. Vetëm pasi u bë i pasur në prona dhe media, ai i hyri politikës, duke krijuar partinë e tij në vitet ‘90 për të mbushur boshllëkun e shkaktuar nga rrënimi i demokristianëve dhe për të "shpëtuar" Italinë nga e majta. Ai ka refuzuar madje edhe të dorëzohet para viteve që kalonin dhe i është drejtuar operacioneve plastike dhe implantimit të flokëve, duke u dukur sot shumë më i ri nga ç‘dukej një dekadë më parë. Si pronar i ekipit të suksesshëm të futbollit AC Milan, Berluskoni ka përjetuar ëndrrën italiane. "Ata më priten si një yll të muzikës rok", tha ai në një intervistë, pasi iu drejtua tifozëve të tij të zjarrtë. I mbërthyer nga çështjet ligjore, të cilat kanë të bëjnë me marrëveshjet e tij të biznesit, ai ka arritur që t‘i rezistojë shumicës së tyre. Ndërsa fajëson drejtësinë, e motivuar politikisht në lidhje me rastet ligjore ndaj tij, kritikët thonë se ai ka përdorur pushtetin politik për të ndihmuar që të shmangë ndjekjen penale. Por "Kavalieri", siç njihet ai, nuk ka fituar gjithnjë. Ai humbi dy palë zgjedhje të përgjithshme ndaj Kryeministrit të larguar Romano Prodi, një burokrat i qetë, personaliteti i të cilit nuk mund të ishte më i ndryshëm nga ai i Berluskonit. AC Milan, që renditet në vendin e katërt të kampionatit italian të futbollit, nuk ka shanse për ta fituar këtë kampionat, dhe Berluskoni zbriti kohët e fundit në vendin e tretë në listën e personave më të pasur të Italisë. Italia, për të cilën ai fitoi të drejtën ta qeverisë për pesë vitet e ardhshme, përballet me vështirësitë për të rimarrë formën e dikurshme. Berluskonit do t‘i nevojitet e gjithë mprehtësia e tij politike dhe e biznesit për të rigjallëruar ekonominë që është pranë një gjendjeje amullie, diçka që ai nuk arriti ta bëjë gjatë mandatit të tij të fundit në vitet 2001-2006. Duke këmbëngulur në pjesëmarrjen e gruas në mitingjet e tij elektorale, dhe kërkuar që gratë të "gatuanin" për kandidatët e partisë së tij për t‘i mbajtur fort ata, ai fitoi duartrokitje dhe jo fishkëllima. Kur ai i tha një vajze të re në një emision televiziv se mënyra më e mirë për të garantuar të ardhmen e saj financiare ishte që të martohej me djalin e tij, e majta u ndie e fyer, por gruaja e re tha se ajo do të votonte për të. Berluskoni, i martuar dy herë, e që bën shpesh shaka për gratë, madje duke thënë se gratë e qendrës së tij të djathtë ishim më tërheqëse se ato të së majtës, ka si qëllim të tregojë se e konsideron seriozisht rolin e gruas, duke nxitur pjesëmarrjen e tyre në politikën e vijës së parë të sulmit. Ai ka premtuar se do të emërojë të paktën katër gra në kabinetin e tij, të cilin ai ka në plan ta kufizojë me vetëm 12 ministra, megjithëse analistët politikë janë skeptikë se si ai do ta drejtojë atë në një sistem politik të dominuar nga njerëz të pjekur e në moshë. Analistët thonë tani se Berluskoni mund të ketë një fitore përfundimtare në vizionin e tij të ardhshëm, Presidencën. Berluskoni e mohon këtë dhe thotë se ai duhet për të drejtuar qeverinë e djathtë, një aleancë shpesh jo e lehtë për liberalët ekonomikë, post fashistët dhe separatistët e veriut. "Në qendrën e djathtë, fatkeqësisht, nuk ka ende asnjë përveç meje që mund të mbajë së bashku liberalët e moderuar, katolikët, laikët dhe reformistët që përbëjnë Partinë e Lirisë së Popullit", tha ai në të përditshmen "Il Mattino". "E thënë me një fjalë, unë jam i pazëvendësueshëm".