E Shtunë, 31 Tetor 2026

Pushtet dhe thashetheme për Putinin, Do të martohet me një gjimnaste

Duhet të jetë një virus që prek presidentët dhe modelet, shumë të bukura. I bën të bien në dashuri dhe i çon direkt në martesë. Sarkozi ka dhënë mësimin i pari, Putin e pason. Dhe në të vërtetë, pikërisht, ai më i padepërtueshmi dhe i padeshifrueshmi mes shefave të shteteve në botë, njeriu që vjen nga KGB, është gati të martohet me një vajzë 30 vjet më të re, pasi është divorcuar në mënyrë sekrete, shkurtin e kaluar, nga bashkëshortja, Ljudmilla. Nëse do të vërtetoheshin thashethemet që po elektrizojnë Moskën këto orë të fundit, do të mësohej edhe data kur Presidenti rus do të kurorëzohej me zonjën e re Putin: 15 korrikun e ardhshëm, me rastin e festës së trinitetit të shenjtë ortodoks; e madje edhe ku do të kurorëzohej kjo martesë - në pallatin gjigand të Konstantinovo-s, nën Shën Peterburg, ku dy vite më parë ai kishte pritur Samitin e G8-ës. Ajo quhet Alina Kabaeva. Të gjithë rusët e njohin dhe e admirojnë. Do të mbushë 25 vjeç, më 12 maj. Ka qenë kampione olimpike e gjimnastikës ritmike në Lojërat Olimpike të Athinës, në 2004-n, ka pushtuar dy tituj botërorë dhe një numër të madh titujsh evropianë. Pas Olimpiadave të shkuara ishte tërhequr. Ka në fakt një fizik të përkryer, një fytyrë të këndshme, dy sy orientalë dhe flokë të gjatë brunë. Rusët e konsiderojnë madje edhe më tërheqëse se sa tenistet seksi, Sharapova dhe Kurnikova. E ndërsa ka ende nga ata që shpresojnë për një rikthim të saj në olimpiket e Pekinit, ajo duket se ka filluar një karrierë të re, atë politike. Nga 2 dhjetori, ajo është bërë deputete e Dumës nga radhët e Rusisë së Bashkuar që pikërisht dje, "kurorëzoi" Putinin President të partisë me një mandat shumë të fuqishëm, edhe pse vetë ai nuk kishte as teserën e kësaj partie. Putin do të lërë detyrën e Presidentit më 7 maj, duke ia dorëzuar atë Dimitri Medvedev e për të marrë një tjetër post, atë të Kryeministrit. Në këtë kornizë kalimi fuqish, në të cilin premtohet ndryshimi radikal i imazhit të vendit dhe evropianizimi, vjen edhe sinjali i parë, kjo zgjedhje e papritur dashurie. Por, a është një lajm i besueshëm? Sipas gazetës "Moskovskij Korrespondent", nuk ka dyshime. Informatori i gazetës është një mik i afërt nga Shën Peterburgu që po merret gjithashtu edhe me organizimin e dasmës së Putinit. "Vula që shënon edhe ndarjen nga gruaja e parë, është vënë në pasaportën e Presidentit. Në një prej zyrave të regjistrit të akteve civile në Shën Peterburg", thotë ai. Veç të tjerash, dy vajzat e tij janë tashmë të rritura. Njëra e martuar dhe jeton në Mynih, tjetra ende studente, është në moshë për t‘u martuar; pra ka gjëra të tjera në kokë. I vetmi përgënjeshtrim deri më tani ka ardhur nga zëdhënësi i Alinës, por edhe ai jo fort i besueshëm. Dhe jo rastësisht, në këto ditë, televizioni shtetëror dhe gazetat pro Kremlinit po i japin hapësirë pa fund Sarkozisë dhe Karla Brunit, ndoshta në një përpjekje për të përgatitur rusët.



Më shumë nga Aktualitet

Të gjitha ›