E Shtunë, 31 Tetor 2026

Ina Rama në Elbasan, “injoron” Zamir Shtyllën që hetoi Gërdecin

 

ELBASAN – Kryeprokurorja Ina Rama shmangu dje çdo komunikim me prokurorin Zamir Shtylla, ish-drejtues i hetimeve për tragjedinë e Gërdecit dhe deri pak kohë më parë, zyrtari nr.2 i Prokurorisë së Përgjithshme. Drejtuesja e organit të akuzës, Ina Rama, dhe ish-zëvendësi i saj Zamir Shtylla, i shfaqur dhjetëra herë në krah të Kryeprokurores gjatë daljeve të saj publike, pasi mori detyrën, kanë qëndruar dje brenda një salle pa konsumuar asnjë komunikim verbal mes tyre. Prokurorja e Përgjithshme mori pjesë në analizën vjetore të punës për Prokurorinë e Elbasanit, duke qenë e pranishme në këtë institucion gjatë paraqitjes së të dhënave statistikore dhe cilësore për punën e bërë gjatë vitit që shkoi. Bashkë me Kryeprokuroren Ina Rama, në Elbasan ka qenë i pranishëm edhe Prokurori i Prokurorisë së Përgjithshme, Sokol Stojani, aktualisht Drejtori i Drejtorisë së Hetimit dhe Ndjekjes Penale. Në prani të zyrtarëve të akuzës qendrore dhe vartësve të tij në Elbasan, Kryeprokurori i rrethit Elvin Goga paraqiti treguesit e punës për vitin e kaluar. Në sallë kanë qenë të pranishëm të gjithë prokurorët e organit të akuzës në Elbasan, përfshi edhe prokurorin Zamir Shtylla, i cili pak kohë më parë u transferua në këtë institucion nga Prokuroria e Përgjithshme. Vendimi për largimin e Zamir Shtyllës nga Prokuroria e Përgjithshme, nga drejtimi i hetimeve për tragjedinë e Gërdecit dhe nga kreu i Drejtorisë së Hetimit, mësohet se është marrë nga Ina Rama. Veç arsyeve ende të panjohura, në ditët e largimit të Zamir Shtyllës nga Prokuroria e Përgjithshme, qeveria dhe eksponentë të maxhorancës lëshuan akuza ta forta duke etiketuar ish-drejtuesin e hetimeve të dosjes “Gërdeci”, si një nga zyrtarët e lartë të drejtësisë që duhej të largohet nga posti që mbante si pasojë e ligjit të Dosjeve. Prokurori Shtylla u përfshi në replika publike me Kryeministrin Berisha, pasi kreu i qeverisë e akuzoi ish-drejtuesin e hetimeve të Gërdecit, se kishte keqtrajtuar qytetarët gjatë detyrës së tij si hetues në periudhën e regjimit komunist. Në këtë situatë të ngarkuar ndodhi edhe transferimi i Zamir Shtyllës nga Prokuroria e Përgjithshme, ndërsa duket se veç acarimit me krerët e Qeverisë dhe dikasteret në varësi të saj, marrëdhëniet e ish-kryehetuesit të Gërdecit ishin ftohur edhe me Prokuroren e Përgjithshme Ina Rama. Në analizën e djeshme, Kryeprokurori i Elbasanit tha se institucioni i drejtuar prej tij ka përmbushur rigorozisht detyrimet ligjore gjatë vitit që shkoi, duke përballur një numër më të madh dosjesh se ai i vitit paraardhës. Numri më i madh i krimeve në Elbasan gjatë vitit 2008 ka qenë i natyrës së vjedhjeve, aksidentet automobilistike, veprat penale kundër personit, kryesisht vetëhelmimet dhe plagosjet. Në analizë është theksuar se ka pasur ulje të ndjeshme të krimeve që lidhen me shfrytëzimin e prostitucionit, për çka janë hetuar vetëm 9 çështje penale gjatë vitit 2008. Në këtë interval kohor, Prokuroria e Elbasanit tha se ka hetuar në total 1871 procedime penale.                 a.k

Më shumë nga Aktualitet

Të gjitha ›