Rikthehen në qarkullim letrat me vlerë
Qeveria "Berisha" rikthen në qarkullim letrat me vlerë. Ekspertët e Ministrisë së Ekonomisë dhe të Financave do të bëjnë modelimin dhe ekuivalentimin e tyre, ndërkohë që hapi fillestar për rikthimin e letrave me vlerë në treg do të jetë dhënia e të drejtës pronarëve për ta parablerë me letra me vlerë një objekt të nxjerrë në privatizim. Kryeministri Berisha bëri të ditur, në mbledhjen e Këshillit të Ministrave, se së shpejti qeveria do të vendosë për përdorimin e letrave me vlerë, të emetuara në vitin 1995. Në vitin ‘95 janë emetuar letrat me vlerë, me të cilat qeveria e asaj kohe synonte të bënte një lloj shpërndarjeje të pasurisë kombëtare nëpërmjet një bonusi të caktuar për çdo qytetar mbi moshën 18 vjeç. "Kriza e thellë financiare, rebelimi i vitit ‘97, sistemi kleptokratik që u vendos pas vitit ‘97 i bëri ato inekzistente. Kanë kaluar rreth 13 vjet nga ajo periudhë. Qeveria dhe mazhoranca ka pasur një zotim se nuk do t‘i mohojë ato, por se do të gjejë mënyrën e trajtimit", u shpreh shefi i qeverisë. Kryeministri qartësoi se letrat me vlerë nuk janë lekë, por do të përdoren për të blerë objekte në proporcion me vlerën e saj. Megjithëse Kryeministri nuk është treguar i qartë për mënyrën se si do të përdoren letrat me vlerë, ai e ka cilësuar parablerjen si një të drejtë legjitime, e cila është aplikuar në rastet e bashkëpronësisë private publike, ku për pjesën publike është dhënë e drejta e parablerjes. "Këtë ligj në favor të pronarëve, që e anuluan qeveritë e mëparshme, ne e kemi amenduar dhe rikthyer", u shpreh Kryeministri. Duke garantuar se kjo masë nuk ka efekte negative në funksionalitetin e ekonomisë, Kryeministri theksoi se futja në përdorim të letrave me vlerë do të bëhet gradualisht dhe hap pas hapi. "Gjykoj se është e dobishme dhe e domosdoshme të hidhet hapi i parë. Nuk mund të ecet në mënyrë tjetër përveçse hap pas hapi, sepse vetë situata financiare botërore nuk lejon asnjë lloj eksperimenti, por imponon rigorozitet, hapa të matur e të studiuar dhe unë kam bindjen se vendimi për t‘u dhënë të drejtën pronarëve për të parablerë me letra me vlerë nuk do të ketë asnjë efekt negativ në funksionalitetin ekonomik të vendit", theksoi Berisha. Letrat me vlerë do të përdoren për të blerë asete në një proporcion të përshtatshëm të vlerës së saj.