E Shtunë, 31 Tetor 2026

Topi: Të respektohet Kushtetuta e Kosovës

Presidenti i Republikës, Bamir Topi, ka shprehur qëndrimin e tij kundër planit gjashtë-pikësh, i cili cenon sovranitetin e shtetit të Kosovës. Duke folur nga Turqia, ku është pritur me një nderim të veçantë nga homologu i tij, Abdullah Gyl, kreu i shtetit shqiptar ritheksoi bindjen se "Kosova e pavarur është tashmë një realitet i ri dhe i pakthyeshëm në rajonin ballkanik dhe se njohja e saj ndërkombëtare është e pandalshme. Presidenti Topi nënvizoi përpjekjet e faktorit ndërkombëtar në këtë drejtim dhe vuri në dukje se Shqipëria i përmbahet qëndrimit, sipas të cilit, pas 17 shkurtit të këtij viti, kur Kosova u shpall shtet i pavarur e sovran, jo vetëm vendosja e EULEX-it, por edhe çdo proces tjetër atje duhet të bëhet duke respektuar Kushtetutën e Republikës së Kosovës dhe ligjet e miratuara, në zbatim të Planit Ahtisari". Në mënyrë të qartë, Presidenti i Republikës ka bërë të ditur se çdo proces ndërkombëtar që mund të implementohet në Kosovë, duhet të respektojë Kushtetutën e shtetit sovran të Kosovës, e cila në fakt zbaton në mënyrë të përpiktë, planin e të dërguarit të OKB-së, Marti Ahtisari. Deklarata e kreut të shtetit shqiptar, nga Ankaraja, ka ngritur në nivelin më të lartë reagimin e Tiranës zyrtare kundër planit të Sekretarit të Përgjithshëm të OKB-së, Ban Ki Mun, i cili krijon struktura paralele policore dhe shtetërore, të cilat nuk varen nga institucionet e Kosovës. Gjithashtu, plani gjashtë-pikësh, krijon struktura doganore të pavarura në veri të Kosovës, të cilat prekin thelbin e një shtetit, që janë kufijtë. Siç njofton zyra e shtypit e Presidencës, gjatë takimit që u zhvillua dje në Ankara, Presidenti i Turqisë, Gyl, vlerësoi rolin pozitiv dhe moderator të Shqipërisë dhe faktorit shqiptar në Ballkan për ruajtjen dhe forcimin e qetësisë, paqes dhe qëndrueshmërisë në rajonin tonë duke e konsideruar atë si shumë të rëndësishëm për arritjen e aspiratave integruese të mbarë vendeve të Ballkanit perëndimor.

Ndërkaq, edhe në takimin që zhvilloi me Kryeministrin turk, Rexhep Taip Erdogan, Presidenti Topi vuri në dukje se marrëdhëniet e fqinjësisë së mirë dhe të bashkëpunimit me vendet e rajonit e, veçanërisht, me ato të Ballkanit perëndimor, vazhdojnë të jenë një nga prioritetet e politikës sonë të jashtme në kuadër dhe të aspiratës së përbashkët të tyre për t‘u integruar në Bashkimin Evropian dhe në NATO. Presidenti Topi vlerësoi dhe rolin moderator të faktorit shqiptar për paqen dhe stabilitetin në rajon. "Krijimit të klimës paqësore në rajonin ballkanik i ka shërbyer dhe pavarësia e Kosovës, duke pasur ndikim pozitiv në marrëdhëniet ndëretnike jo vetën në Kosovë, por dhe duke e çliruar përfundimisht Ballkanin nga makthi i luftërave dhe konflikteve ndëretnike". Në këtë kontekst, Presidenti i Republikës, shprehu bindjen se Turqia, si gjithmonë, do të vazhdojë lobingun dhe do të ushtrojë ndikimin e vet për njohjen e pavarësisë së Kosovës dhe nga vende të tjera.



Më shumë nga Aktualitet

Të gjitha ›