E Shtunë, 31 Tetor 2026

Krerët e Kosovës: EULEX, sipas Kushtetutës së Republikës

Presidenti i Kosovës, Fatmir Sejdiu, dhe Kryeministri Hashim Thaçi, kanë përsëritur kundërshtimin e fuqishëm ndaj planit 6-pikësh, që cenon sovranitetin e Kosovës. Në një deklaratë të përbashkët, në prag të mbledhjes së Këshillit të Sigurimit, ata ritheksuan vullnetin për bashkëpunim me EULEX-in, por vetëm në formën e paraparë me planin Ahtisari. Ata u bënë thirrje faktorëve ndërkombëtarë të sigurojnë se masat që do të merren për vendosjen e EULEX-it të bëhen në koordinim dhe konsultim të plotë me institucionet e Kosovës. "Përgjigjja jonë ndaj raportit të Sekretarit të Përgjithshëm mbetet e njëjtë. Jemi të bindur se nuk mund të lejohet implementimi i gjashtë pikave në çfarëdo mënyre që shkel sovranitetin e Republikës së Kosovës. U bëjmë thirrje miqve tanë, zëri i të cilëve është dëgjuar tashmë qartë në mbrojtje të sovranitetit tonë, të sigurojnë se masat që ndërmerren për lehtësimin e vendosjes së EULEX-it të bëhen në koordinim dhe konsultim të plotë me institucionet e Republikës së Kosovës", tha Presidenti Sejdiu. Në raportin e Ban Ki Mun është përfshirë kundërshtimi i palës kosovare për planin gjashtëpikësh. Presidenti tha se tashmë është gjithçka e qartë se misioni EULEX do të pranohet siç është paraparë me planin Ahtisari. Ai i bëri thirrje BE-së të vendosë EULEX-in sa më shpejt që të jetë e mundur në të gjithë territorin e vendit. Megjithatë, Sejdiu e cilësoi këtë si një moment delikat. Për këtë arsye ai kërkoi bashkëpunimin e të gjithë faktorëve në Kosovë, me qëllim të ruajtjes së stabilitetit të brendshëm. "Ky është një moment në të cilin nevojitet një qasje e qetë dhe e vendosur. Çfarëdo përgjigje tjetër vetëm sa do t‘i kënaqte ata të cilët dëshirojnë të provokojnë Kosovën dhe të na shohin duke vepruar në mënyrë të padinjitetshme. Ndërkaq, Kryeministri Hashim Thaçi tha se çdo gjë është e qartë, do të zbatohet vetëm Kushtetuta e Kosovës. "Gjithçka është e qartë. Kosova e ka Kushtetutën e saj moderne dhe çdo gjë që bie në kundërshtim me këtë Kushtetutë për institucionet dhe popullin e Kosovës është e papranueshme dhe do të jetë e rezistueshme nga ana jonë. Për këtë, Kryeministri pret përkrahjen e SHBA-së, të BE-së dhe të NATO-s: "Edhe SHBA, edhe shumica e vendeve të BE-së dhe të gjitha vendet që e kanë njohur Kosovën shtet e respektojnë në tërësi sovranitetin e Republikës së Kosovës. Sejdiu e Thaçi kundërshtuan t‘i cilësojnë këto zhvillime si një dështim të politikës kosovare. Madje, ata lanë të kuptohet se nuk janë fajtorë për këto zhvillime, duke thënë se vetë pavarësia e Kosovës në këtë periudhë është në proces të mbikëqyrjes ndërkombëtare. Presidenti Sejdiu e Kryeministri Thaçi u bëjnë thirrje edhe një herë gjithë qytetarëve e subjekteve politike në Kosovë për ruajtjen e stabilitetit të përgjithshëm, duke ritheksuar se institucionet e vendit nuk do të lejojnë të cenohen kornizat themelore që janë përkufizuar edhe në deklaratën e pavarësisë.


Më shumë nga Aktualitet

Të gjitha ›