Tension në Maqedoni, sulmohet patrulla policore
Ngrihet papritur tensioni në Maqedoni, pas një sulmi mbi një patrullë të policisë në kryeqytetin e vendit Shkup. Si pasojë e sulmit është vrarë një punonjës shqiptar i policisë dhe plagosur dy të tjerë. Ministria e Brendshme nuk e ka përjashtuar mundësinë që motivet e këtij sulmi janë hakmarrje për aksionet e fundit të policisë, por kjo drejtpërdrejt nuk është theksuar nga ministrja e Brendshme, Gordana Jankullovska. "Në mesditë është sulmuar një patrullë policore gjatë kryerjes së kontrollit të rregullt në afërsi të Fakultetit Matematiko-Natyror në Shkup. Në sulmin e armatosur ndaj patrullës policore të përbërë nga pjesëtarët e njësitit policor "Alfa", jetën e ka humbur polici 39-vjeçar, Afrim Arifi. Dy të tjerë janë lënduar, ndërsa njëri prej tyre është në gjendje kritike", theksoi ministrja e Brendshme, Gordana Jankullovska, në një deklaratë për mediat. "Patrulla policore, gjatë kryerjes së detyrave të rregullta në rajonin e lagjes Singeliç dhe rreth bulevardit ‘Aleksandri i Madh‘ ishte drejtuar më pas në drejtim të lagjes ‘Gazibabë‘. Pas kryerjes së detyrës, vetura e policisë është kaluar nga një veturë ‘Golf‘ me xhama të errët, nga e cila është shtënë me armë zjarri, që ka zgjatur 30 sekonda, ku tre policët janë lënduar, prej të cilëve njëri ka ndërruar jetë", theksoi ministrja Jankullovska. Ajo nënvizoi se janë marrë të gjitha masat për kryerjen e hetimeve dhe sigurimin e gjurmëve që do të ndihmojnë në ndriçimin e kësaj vepre penale. Ministrja e Brendshme theksoi se dikasteri që drejtohet nga ajo në mënyrë të ashpër do t‘i përgjigjet këtij sulmi të patrullës policore. MPB-ja ka urdhëruar të gjitha njësitet policore për masa të përforcuara, bllokim të vendkalimeve kufitare dhe aktivitete të tjera për të ndriçuar rastin dhe kapur autorët e sulmit.
Afrim Arifi, 39 vjeç, është pjesëtari i njësitit policor "Alfa", që u vra dje në përleshjen me armë nga një makinë që ishte në lëvizje para Fakultetit Matematiko-Natyror në Shkup.
Afrim Arifi, 39 vjeç, është pjesëtari i njësitit policor "Alfa", që u vra dje në përleshjen me armë nga një makinë që ishte në lëvizje para Fakultetit Matematiko-Natyror në Shkup.