E Diel, 1 Nëntor 2026

BSH: Mbyllet me fitim dymujori i parë, bankat kanë likuide

Sistemi bankar e ka mbyllur me fitim dymujorin e parë të vitit 2010. Të dhënat e publikuara nga Banka e Shqipërisë për muajin shkurt tregojnë se bankat kanë arritur në total një fitim prej 400 milion lekësh, ndërkohë që janarin e kishte mbyllur me humbje prej 152 milion lekësh. Ky rezultat është ndjeshëm më i mirë edhe krahasuar me të njëjtën periudhë të një viti më parë,

kur sistemi bankar arriti një rezultat financiar negative në vlerën e 210 milionë lekëve. Burimet nga Banka e Shqipërisë bëjnë të ditur se huatë me vonesë vazhdojnë të jenë një problem dhe norma e tyre në muajin shkurt arriti në 11.8%, nga 11.6% që ishte në muajin janar. Teprica e kredisë e dhënë nga sistemi bankar në fund të muajit shkurt arriti vlerën e 457 miliard lekëve, me një rritje të vogël prej 2 miliard lekësh ose 0.4% krahasuar me muajin janar. Në rritje të lehtë edhe totali i depozitave, që arriti vlerën e 715 miliard lekëve, ose 0.3% më shumë krahasuar me muajin janar. Totali i aseteve të sistemit bankar brenda një muaji është rritur me 4 miliard lekë dhe ka arritur vlerën e 906 miliard lekëve. Ndërkohë norma e interesit do të mbetet në të njëjtët shifra, 5, 25 për qind. Në përfundim të diskutimeve, Këshilli Mbikëqyrës vendosi të mbajë të pandryshuar normën bazë të interesit, në nivelin 5.25 për qind. Sipas Guvernatorit të Bankës së Shqipërisë ky vendim garanton kushte të përshtatshme monetare për respektimin e objektivit të inflacionit në një periudhë afatmesme. Në të ardhmen, Banka e Shqipërisë mbetet e gatshme të veprojë në linjë me ecurinë e  faktuar dhe të pritshme të treguesve ekonomikë. Në veçanti, vendimet e saj do të faktorizojnë mbajtjen e pritjeve inflacioniste të ankoruara rreth objektivit të Bankës së Shqipërisë për inflacionin, stabilitetin e sistemit financiar në vend, në funksion të ruajtjes dhe konsolidimit të mëtejshëm të ekuilibrave makroekonomikë.

Last Updated on E Hene, 05 Prill 2010 18:25

Më shumë nga Ekonomia

Të gjitha ›