Rikthehen reshjet e debores veshtiresohet levizja
Në verilindje dhe në juglindje reshjet e borës kanë shkaktuar probleme në akset nacionale ndërsa komunat e thella malore janë të bllokuara. Në katër qarqe situata është me problematike. Në Shkodër akset në drejtim të Malësisë së Madhe janë të pakalueshme ose me vështirësi të madhe. Aksi nacional drejt Pukës është i bllokuar, ndërsa shume aske të tjera në disa komuna kanë të njëjtin fat. Trashësia e borës në disa zona të thella, si në Kelmend e Vermosh ka arritur edhe një metër, ndërsa mijëra banorë në këtë qark aktualisht janë të izoluar. Edhe në qarkun e Kukësit janë shfaqur të njejtat probleme. Reshjet e borës kanë ribllokuar komunat e thella malore, atë të Grykë Cajës, Kalisit, Zapodit . Situatë e rënduar është në komunën e Shishtavecit, ku trashësia e dëborës arrin në mbi një metër, ndërsa erërat e fuqishme dhe ngricat kanë vështirësuar ndjeshëm rihapjen e aksit rrugor që lidh fshatin me pjesën tjetër të rrethit. Akset nacionale janë të kalueshme por këshillohet të bëhet kujdes dhe të përdoren zinxhirët. Në Peshkopi reshjet kanë bllokuar rrugët Peshkopi-Kukës dhe Peshkopi-Librazhd. Janë të bllokuara komunat Arras, Zall Dardhë, Rec, Selishtë, Luzni, Kalaja e Dodës, Lura. Ne rruget kryesore trashesia e bores ka arritur ne 20 cm. Në Korçë, raportohen për probleme akset drejt Dardhës e Voskopojës, Korçë-Kapshticë, kthesa e Cangonit, Korçë-Pogradec, Qafa e Plloçit, Qafa e Thasnes, Korçë-Ersekë. Policia i bën apel drejtuesve të mjeteve për të pasur kujdes dhe të përdorin zinxhirë sidomos në Qafë Thanë, Grabovicë. Të bllokuara raportohen komunat Lekas dhe Mollas në Pogradec.