E Diel, 1 Nëntor 2026

Specialistët: Kafshët e ngordhura rrezikojnë banorët

PËRMBYTJA/ Sipas drejtorit të ISHP-së, Alban Ylli, kafshët e ngordhura duhen asgjësuar sipas rregullores dhe s'duhen mbajtur pranë

Ndërsa fshatarët në zonat e përmbytura të Nënshkodrës po i lënë kafshët e ngordhura aty ku janë, në mënyrë që vlerësuesit e dëmeve t'i shohin, specialistë të shëndetit publik në Tiranë shprehen se asnjë kafshë e ngordhur nuk duhet të mbahet në oborret e shtëpive, pasi është shumë e rrezikshme për shëndetin e njerëzve. Ata bëjnë të ditur se për kafshët ka rregullore të posaçme se si duhet të asgjësohen dhe se mbajtja e trupave të tyre pranë shtëpive apo pranë ambienteve të tjera përbën një rrezik serioz për përhapjen e epidemive. Të pyetur lidhur me këtë situatë, specialistët në Shkodër nuk pranojnë të flasin, duke u shprehur se kanë urdhër për të mos u prononcuar. Ndërkohë, drejtori i Institutit të Shëndetit Publik në Tiranë, Alban Ylli, thotë se nuk është në dijeni të këtij problemi, por, nëse ai ekziston, atëherë duhet të merren masa emergjente për evitimin e infeksioneve që mund të vijnë nga kafshët e ngordhura. Të njëjtin reagim ka edhe drejtori i Politikave Shëndetësore në Ministrisë e Shëndetësisë, Pëllumb Pipero, i cili thotë se kafshët e ngordhura në sipërfaqe të tokës përbëjnë një rrezik serioz.
"Në mënyrë absolute ky do të ishte një rrezik serioz për të gjithë banorët, dhe jo vetëm për ata që i mbajnë në oborret e shtëpive", - theksoi drejtori i ISHP-së, Alban Ylli. Sipas tij, ka një rregullore që quhet plan i emergjencës në të cilën përshkruhen të gjitha detajet se si duhet të asgjësohen kafshët e ngordhura nga përmbytjet, duke filluar që nga thellësia e gropës që duhet të hapet për asgjësim, sa duhet të jetë largësia nga tubacionet etj. Ndërkohë, ai theksoi se strukturat e shëndetësisë po vazhdojnë të jenë pranë zonave të përmbytura ku do të niset përsëri edhe ai vetë për të monitoruar situatën.
Teksa banorët shprehen se po presin vlerësuesit e dëmit, zyrtarët e dikasterit të shëndetësisë pohojnë se nuk janë në dijeni të një problemi kaq madhor. Sipas drejtorit të Politikave Shëndetësore në Ministrisë e Shëndetësisë, Pëllumb Pipero, kafshët e ngordhura të cilat janë të ekspozuara në sipërfaqe janë burim serioz epidemish. Por nga ana tjetër, ai e quan absurd vendimin e banorëve për t'i mbajtur në oborre kafshët e ngordhura me pretekstin se duhet të presin vlerësuesit e dëmit. "Mendoj se është pushteti vendor, i cili duhet të shkojë dhe të bëjë vlerësimin e dëmeve dhe të mbajë shënime për këto dëme. Nuk është se shkon qeveria derë më derë dhe bën vlerësime dëmesh. Kjo është përgjegjësi e pushtetit vendor",- theksoi Pipero, duke shtuar se për këtë problem duhet të merren masa emergjente për të shmangur ndonjë rrezik të mundshëm epidemish.
Ndërkohë, banorët e zonave të përmbytura në Shkodër, të cilët kanë humbur pasurinë e tyre në bagëti apo shpezë janë shprehur se po i lënë aty ku janë trupat e kafshëve të ngordhura, teksa presin që të vijnë personat që do të vlerësojnë dëmin që u ka bërë përmbytja. Megjithëse skeptikë për dëmshpërblimin, ata kërkojnë që të shihet dëmi real i vërshimit të ujërave në ditët e para të këtij viti.

Më shumë nga Kronika

Të gjitha ›