E Shtunë, 31 Tetor 2026

Rikthehet Arben Ibro në krye të doganës së Durrësit

24/04/2009  Arsyet mendohet të jenë të ardhurat e larta që u siguruan në kohën e tij

DURRES- Rezultatet e arritura nga dega e doganës së Durrësit që nga koha kur Arben Ibroja mori guximin të drejtojë këtë degë shumë problematike në vite, i dhanë mundësi ish-kreut të doganës të rivijë përsëri në Durrës pas një periudhe gati dymujore. Dy muaj më parë kreu i doganës së Durrësit Arben Ibroja ka lënë Durrësin për të marrë të njëjtin funksion në doganën e Lezhës, ndërkohë që ai është rikthyer përsëri.

Rikthimi

Lajmi është konfirmuar nga burime zyrtare të kësaj dege në Durrës, por pa dhënë shpjegime për shkaqet e këmbimit me kreun e doganës së Lezhës Mikel Miloti dhe kthimin në të njëjtin vend, të cilin e kishte lënë në fillim të muajit shkurt. Arben Ibroja nuk ka pranuar të komentojë arsyet që shtynë Drejtorinë e përgjithshme të Doganave për të marrë në shqyrtim vendimin e ri duke shtuar se një vendim i tillë është e drejtë e organit të emërtesës. Më 18 shkurt të këtij viti Arben Ibroja u zëvendësuar nga ish-kreu i doganës së Lezhës, Mikel Miloti, dhe vendimi mbante nënshkrimin e drejtorit Përparim Dervishi. Tani që Dervishi ka lënë karrigen Ibroja është rishfaqur në degën e doganës në Durrës. I vetmi motivacion së paku i bërë publik në shkurt lidhur me këtë këmbim të krerëve të degëve të doganave ka qenë se vendimi është shtyrë për t’i dhënë më shumë frymëmarrje doganës së Durrësit, e cila është arsyetuar se kishte nevojë për t’u fuqizuar në anën organizative të saj. Ibroja erdhi në Durrës fillimisht për të zëvendësuar Arben Bajraktarin, pasi ky i fundit nuk mundi të menaxhonte çështjen e anijes “Pamisos” me 2 ton vaj të bllokuar në rad dhe që më pas anija iku pa lënë gjurmë nga porti i Durrësit.

Në harkun kohor të një viti Arben Ibroja së bashku me strukturat e degës së doganës së drejtuar prej tij ka arritur të përmbysë shifrat duke arkëtuar shuma të mëdha. Dega doganore e Durrësit gjatë vitit 2008 ka arkëtuar mbi 38.6 miliardë lekë, ose rreth 4 miliardë lekë më shumë se sa në vitin paraardhës. Ndonëse taksat doganore për subjektet eksportuese dhe importuese janë ulur me 20 për qind gjatë vitit të kaluar të ardhurat e doganës në Durrës janë rritur me rreth 15 për qind. Nisur nga shifrat e bëra publike dogana në Durrës mundi të dyfishojë të ardhurat në një vit, shifra këto të krahasuara me një vit para se qeveria e re të merrte mandatin e saj.

Më shumë nga Aktualitet

Të gjitha ›