E Shtunë, 31 Tetor 2026

Zgjedhjet, komisionerët e PS-s me mikrokamera

24/04/2009  Selia rozë intensifikon përgatitjet për garën elektorale. Kryesia do të miratojë projektin final

Mbledhja e këtij forumi do të përqendrohet te përcaktimi i kritereve për zgjedhjen e kandidatëve

Lidershipi i Partisë Socialiste ka vendosur që deri në fund të këtij muaji të mbledhë kryesinë e kësaj partie për të miratuar projektin final mbi garën elektorale. Burime pranë kësaj partie bëjnë me dije se tashmë kupola rozë ka mirorganizuar çdo detaj që lidhet me procesin zgjedhor, e sidomos në ditën kur sovrani do t’i drejtohet kutive të votimi, pra në 28 qershor. Për këtë arsye, duke dashur t’i paraprijë çdo manipulimi të pritshëm, socialistë kanë menduar të vënë në punë një plan sekret: pajisjen e komisionerëve socialistë me mikrokamera. Kjo veçanërisht në ato zona ku kupola rozë është sinjalizuar për ndonjë tentativë nga ana e mazhorancës për të manipuluar rezultatin, por dhe në ato zona ku nga eksperiencat e mëparshme ka rezultuar një situatë e tillë. Megjithatë, një plan i tillë pritet të marrë konfirmimin përfundimtar në mbledhjen e kryesisë socialistë, ku anëtarët e këtij forumi do të njihen me projektin përfundimtar të PS-së sa i takon fazës së fundit mbi procesin zgjedhor. Kështu, mësohet se anëtarëve të këtij forumi u është shpërndarë një material prej gati 100 faqesh, i cili përfshin udhëzime dhe detyra, për t’u dhënë dorën e fundit përgatitjeve të gjata elektorale, rezultati i të cilave do të marrë përgjigje të dielën e 28 qershorit. Ndërkohë, ndalur te mbledhja që pritet të zhvillohet brenda këtij harku kohor prej një jave, vlen të theksohet se socialistët më në fund do të njihen me kriteret që do të përcaktohen për përzgjedhjen e kandidatëve për deputetë. Por njëkohësisht, pas këtij momenti radhët socialiste do të përfshihen nga ethet e kandidimit, kjo për vetë faktin se kupola rozë do të kalojë në sitë të gjithë emrat e mundshëm për në listën e kandidatëve për deputetë që do të përfaqësojnë Partinë Socialiste në zgjedhjet e përgjithshme. Kështu, synohet që kandidatët për deputetë të PS-së të përzgjidhen nga një analizë dhe testim i përbërjes së zonave zgjedhor, me qëllim që të bëhet një vëzhgim paraprak për përbërjen e komuniteteve dhe komponentët që mund të përthithen nga këto zona. Qëndruar në axhendën e punimeve të kësaj mbledhje, bëhet me dije se në rend të ditës do të jetë pikërisht diskutimi dhe miratimi i dokumentin zgjedhor, i kritereve që do zgjidhen kandidatët, forma përfundimtare e prezantimit të programit të ri qeverisës të PS-së, si dhe ndarja grupeve të punës për të bërë prezantim e tij. Por konkretisht, duke u ndalur te dokumenti zgjedhor, mësohet se ai përmban organizimin zgjedhor, pra mënyrën se si do të veprojë PS-ja gjatë fushatës elektorale, zyrtare, në ditën e zgjedhjeve, si dhe gjatë numërimit të votave. Gjithashtu një çështje e rëndësishëm në këtë dokument lidhet me idenë për pajisjen me mikrokamera të anëtarëve të komisioneve zgjedhore në ato vende ku mendohet se do të ketë manipulime. Sa u takon kritereve, pritet që kryesore të jetë ndërtimi i profilit elektoral të çdo qarku, më pas përcaktimi i kritereve dhe metodikës së përzgjedhjes së rezervuarit të kandidatëve, duke kaluar më pas në përpunimin dhe vendosjen e rregullave për testimin dhe seleksionimin e kandidaturave. Nga ana tjetër, nuk pritet që të jetë pjesë e rendit të ditës miratimi i dokumentit mbi të cilin do të përqendrohej dhe marrëveshja e Partisë Socialiste me partitë e saj aleate.

Axhenda

1. Diskutimi dhe miratimi i dokumentit zgjedhor, ku përfshihen

a. organizimi zgjedhor;

b. mënyra si do të veprojë PS-ja gjatë fushatës;

c. dita e zgjedhjeve, numërimi i votave;

d. pajisja me mikrokamera e anëtarëve të komisioneve zgjedhore në ato zona ku mendohet se do këtë manipulime;

2. Përcaktimi i kritereve në bazë të të cilave do të zgjidhen kandidatët.

3. Forma përfundimtare e prezantimit të programit.

4. Ndarja e grupeve të punës për të bërë prezantim.

Më shumë nga Politika

Të gjitha ›