Rikthehet Sim to Sim
Pushuan pak ditë, për t’u rikthyer sërish. Kontrabandistët e aktivitetit sim to sim nuk është duke i frikësuar më asgjë. Madje, ata duket se janë trimëruar edhe më shumë nga deklarimet e EULEX-it se nuk është kompetente për ta luftuar si aktivitet.
Vetëm të martën Post-Telekomi i Kosovës ka bllokuar 100 numra, për të cilët dyshohet se janë kontrabanduar nga ky aktivitet.
Drejtuesit e Post-Terlekomit të Kosovës, fajin për ketë e hedhin te disa deklarime të EULEX-it se nuk mund ta luftojë këtë aktivitet, me arsyetimin se nuk është kompetent. Sipas tyre, këto deklarime, duket se i kanë trimëruar ata që po dëmtojnë operatorët legalë, me miliona euro.
Menduh Abazi, drejtor i yrës për informim në PTK, thotë se pas arrestimeve të 11 personave nga Policia e Kosovës, aktiviteti sim to sim u ndal pothuajse i tëri. Megjithatë, vetëm të martën, thotë se PTK-së i është dashur t’i bllokojë 100 numra, të cilët janë përfshirë në këtë aktivitet ilegal.
“Sim to sim u rikthye të martën, në ditën kur EULEX-i u deklarua se nuk është kompetent për ta luftuar këtë fenomen”, thotë Abazi.
Sipas tij, vendndodhja e këtyre personave që po i “kontrabandojnë” lidhjet ndërkombëtare, dyshohet se është në qendër të Prishtinës.
“Ne dyshojmë që “sim boxat”, dhe vendndodhja e këtyre njerëzve është në qendër të Prishtinës”, ka thënë Abazi.
Sistemi SIM to SIM mundëson komunikimin telefonik në atë mënyrë që rrjeti ndërkombëtar telefonik mes dy shteteve zëvendësohet plotësisht me komunikim nëpërmjet rrjeteve ilegale. Kjo vjedhje realizohet nëpërmes të ashtuquajturve “Sim Boxe”.
Ndryshe, aktiviteti ilegal sim to sim u rikthye vetëm pak ditë pas arrestimeve të 11 personave, nga Policia e Kosovës. Sipas tyre, këtë e kanë bërë njerëzit për përfitime personale. Veç të arrestuarve, gjithashtu ka pasur edhe konfiskim të pajisjeve, me të cilat mundësohet ky fenomen.
Sipas një vlerësimi nga ekspertët, vlera e këtyre pajisjeve kalon mbi 1 milion euro. E, vlera e shkaktuar me kryerjen e këtyre veprave penale, sipas Policisë, llogaritet të jetë 450 mijë euro në muaj, apo 21.6 milionë euro për 4 vjet. Ky vlerësim është bërë nga një kompani ndërkombëtare, edhe pse sipas Policisë, nuk do të thotë që është vlerësim i saktë, pasi operacioni pritet të vazhdojë.
Ndërkohë, humbjet nga ky aktivitet i ndaluar përmes thirrjeve ndërkombëtare, llogaritet të jetë 21.6 milionë euro, për 4 vjet. Operacioni pritet të vazhdojë prapë.